
Fenomeni klimatik El Niño po merr përmasa të mëdha dhe po e çon planetin drejt një “zone rreziku” për kushtet ekstreme të motit. Alarmin e ka ngritur sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
“El Niño po merr përmasa gjigante. Shkenca nuk lë vend për dyshime: planeti ndodhet në ujëra të paeksploruara dhe këto ujëra po ngrohen. Temperaturat vazhdojnë të rriten dhe bota ndodhet në zonën e rrezikut të kushteve ekstreme të motit”, deklaroi Guterres.
Sipas agjencisë së Kombeve të Bashkuara për klimën, El Niño pritet të bëhet “shumë intensiv”, ndërsa fenomeni pothuajse me siguri do të vijojë deri në muajin shkurt.
El Niño lidhet me ngrohjen periodike të ujërave të Oqeanit Paqësor dhe mund të ndikojë ndjeshëm në modelet e motit në mbarë botën, duke shkaktuar temperatura të larta, thatësira, reshje të pazakonta dhe fenomene të tjera ekstreme.
Paralajmërimi i Guterres vjen në një kohë kur ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturave globale po sjellin gjithnjë e më shumë episode të motit ekstrem në vende të ndryshme të botës.

