AKTUALITET /

“Na jep 5 mln euro ose largohu nga Shqipëria”/Dyshohet se shkak i përplasjeve me arme në hotelin e Vasil Bedinajt është pronësia mbi tokën ngjitur me hotelin

Shkruar nga Versus

“Na jep 5 mln euro ose largohu nga Shqipëria”/Dyshohet se shkak

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja në Orikum, ku biznesmeni Vasil Bedinaj u kërcënua me armë nga një grup prej rreth 10 personash.

Mësohet se shkak i përplasjes është bërë një tokë ngjitur me hotelin Regina në pronësi të Vasil Bedinajt.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 në ambientet e Hotel Regina, në pronësi të Bedinajt. Sipas informacioneve paraprake, shkak i përplasjes dyshohet të jetë një tokë në afërsi të hotelit.

Personat, shumica prej të cilëve dyshohet se ishin të armatosur, kanë shkuar në hotel dhe fillimisht kanë kërcënuar verbalisht biznesmenin. Situata më pas është përshkallëzuar, ndërsa dyshohet se është përdorur edhe armë zjarri dhe Bedinajt i është kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.

Mes palëve dyshohet se ka pasur edhe përplasje fizike. Pas ngjarjes, personat janë larguar nga ambientet e hotelit.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur ndjekjen e autorëve të dyshuar. Gjatë ndjekjes, një automjet me dy persona në bord është aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.

Dy personat janë transportuar me ambulancë në spital. Sipas të dhënave paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe shtyllën kurrizore, ndërsa tjetri ka pësuar dëmtime si pasojë e aksidentit.

Raportohet se të dy personat e aksidentuar janë arrestuar nga policia dhe janë nga Tirana.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të Vlorës, ndërsa vijojnë kontrollet për kapjen e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Vasil Bedinaj është biznesmen i njohur në Vlorë dhe prej vitesh mban edhe detyrën e kryetarit të Shoqatës së Operatorëve Turistikë për Jugun e Shqipërisë.

Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, motivin e konfliktit dhe identitetin e personave të tjerë të përfshirë./Versus.al

Poll