
Tre telefonata të dëshpëruara kanë zbardhur momentet e fundit të jetës së Lorenës Isceri, e cila u rrëmbye dhe u vra nga Federico Vella në Firence të Italisë.
Sipas mediave italiane, Lorena arriti të telefononte fillimisht nënën e saj nga bagazhi i një automjeti tip SUV, ku dyshohet se ishte futur me forcë nga Vella. Ajo kërkoi ndihmë, por telefonata u ndërpre shpejt.
Më pas, gruaja telefonoi një shoqe të saj, por edhe kjo lidhje u ndërpre. Telefonata e tretë ishte drejt numrit të emergjencës 112. Qendra operative e Selisë së Policisë së Firences arriti ta mbante në linjë për rreth 20 minuta.
“Federico më rrëmbeu, ai do të më vrasë”, mësohet të ketë thënë Lorena gjatë telefonatës, duke u kërkuar ndihmë operatorëve.
Gruaja u tregoi autoriteteve se ishte dhunuar dhe më pas ishte futur në bagazhin e automjetit. Policia u përpoq disa herë të rilidhej me të, por pa rezultat.
Sipas hipotezës fillestare të hetuesve, Vella mund ta ketë zbuluar se Lorena po telefononte për ndihmë pasi ka hapur bagazhin. Më pas, ai dyshohet se i ka marrë telefonin dhe e ka hedhur diku, përpara se ta hidhte edhe Lorenën nga një mbikalim në autostradën A1.
Pas vrasjes së saj, Vella u përball me efektivët e policisë rrugore. Sipas dëshmive, ai ka deklaruar se Lorena “më tradhtoi dhe më trajtoi keq”.
Pak më vonë, Federico Vella i dha fund jetës duke u hedhur nga mbikalimi.
Ngjarja ka marrë një tjetër dimension pas publikimit të postimeve të fundit të Vellës në rrjetet sociale. Pak kohë para krimit, ai kishte publikuar fotografi me Lorenën dhe mesazhe ku shprehte dashurinë për të dhe kërkonte “një shans të fundit”.
Në një tjetër postim shkruante se dhimbja po e shkatërronte, ndërsa në një histori të publikuar më vonë shfaqej mesazhi “Mirupafshim të gjithëve”.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar të gjithë dinamikën e ngjarjes dhe minutat e fundit përpara vrasjes së Lorenës, ndërsa telefonata 20-minutëshe me numrin 112 konsiderohet një prej provave kyçe për të kuptuar atë që ndodhi.

