Nga Entela Binjaku
Në atmosferën verore të gushtit, në Divjakë, u zhvillua një veprimtari dyditore kushtuar kulturës, traditave dhe trashëgimisë së pakicës arumune. Veprimtaria mblodhi qytetarë dhe përfaqësues të komunitetit të angazhuar në promovimin e diversitetit kulturor dhe në ruajtjen e trashëgimisë së pakicave kombëtare, duke krijuar një hapësirë të veçantë për të vlerësuar punën e palodhur të grave artizane.
Në qendër të veprimtarisë ishte ekspozimi i punimeve artizanale dhe fotografive që pasqyrojnë traditat arumune të ruajtura dhe transmetuara brez pas brezi. Këto punime përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore materiale dhe dëshmojnë për pasurinë e traditave, mjeshtërinë dhe përkushtimin e grave që kanë kontribuar në ruajtjen e tyre.
Një ekspozitë në nderim të trashëgimisë arumune
Përzgjedhja e datës 15 gusht për hapjen e veprimtarisë kishte një domethënie të veçantë. Kjo ditë përkon me Festën e Shën Mërisë, ose Fjetjen e Hyjlindëses Mari, një nga festat e rëndësishme të traditës së komuniteteve të krishtera dhe një ditë me rëndësi të veçantë edhe në traditën arumune.
Për realizimin e ekspozitës, organizatorët kontaktuan pjesëtarë të komunitetit arumun nga Fieri, Berati dhe Lushnja, të cilët iu bashkuan nismës duke sjellë punime artizanale dhe materiale fotografike që dëshmojnë për vazhdimësinë e traditave.


Në kuadër të veprimtarisë u prezantua edhe një koleksion kartolinash me punime artizanale arumune, përmes të cilave u synua dokumentimi dhe promovimi i kësaj trashëgimie. Koleksioni përfshinte:
- Punime me grep me motive gjeometrike;
- Punime me grep me motive lulesh;
- Velenxa të endura në tezgjah;
- Rrugica të endura në tezgjah;
- Fanella të punuara me shtiza;
- Papuçe të punuara me shtiza;
- Çorape të gjata të punuara me shtiza;
- Floktore të endura në tezgjah.
Punimet e ekspozuara nuk përfaqësojnë vetëm një mjeshtëri artizanale, por edhe një mënyrë të ruajtjes së kujtesës dhe identitetit kulturor. Çdo punim mbart brenda tij elemente të një tradite familjare dhe komunitare, të transmetuar ndër breza.
Veprimtaria u realizua nga Fondacioni “Harriet Martineau”, i cili prej muajit qershor ka nisur zbatimin e projektit në kuadër të mbështetjes së Komitetit për Pakicat Kombëtare, në kuadër të Thirrjes 2026 “Trashëgimia si urë bashkëjetese”.
Thirrja, e hapur nga 26 shkurt deri më 5 maj 2026, mbështet projekte dhe veprimtari që synojnë nxitjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.
Ndër prioritetet e saj janë:
- Promovimi i trashëgimisë kulturore të pakicave kombëtare, përmes organizimit të festivaleve dhe aktiviteteve kulturore e ndërkulturore, botimeve dhe kërkimeve shkencore në gjuhët përkatëse, si dhe ekspozitave dhe tryezave të rrumbullakëta ndërkulturore.
- Artizanati, tradita dhe diversiteti kulturor i pakicave kombëtare, përmes ruajtjes dhe dokumentimit të veshjeve tradicionale, si dhe organizimit të panaireve të artizanatit dhe kulinarisë.
Kjo mbështetje bazohet në VKM nr. 769, datë 15.12.2021, për “Kriteret e mbështetjes së nismave dhe projekteve që synojnë mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare, ruajtjen dhe promovimin e identitetit të tyre dallues kulturor, etnik, gjuhësor, tradicional e fetar dhe kriteret e përzgjedhjes për financimin dhe administrimin e fondit për pakicat kombëtare”.


Veprimtaria në Divjakë është pjesë e punës së vazhdueshme të Fondacionit “Harriet Martineau” për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arumune. Një vit më parë, Fondacioni realizoi projektin “Trashëgimia dhe kultura arumune, së bashku dhe në një tryezë”, gjithashtu me mbështetjen e Komitetit për Pakicat Kombëtare. Në kuadër të këtij projekti u organizuan tri veprimtari dyditore me titullin “Ekspozitat e shijes”, ku amvisa arumune nga Fieri, Korça dhe Elbasani prezantuan gatime tradicionale të përgatitura prej tyre.
Veprimtaritë u pasuan nga një tryezë diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komitetit për Pakicat Kombëtare dhe nga botimi i një broshure kushtuar gatimeve tradicionale arumune.
Këto nisma dëshmojnë se trashëgimia kulturore mund të ruhet dhe të përcillet jo vetëm përmes dokumentimit, por edhe përmes takimeve, ekspozitave dhe shkëmbimit të drejtpërdrejtë ndërmjet brezave dhe komuniteteve.
Projekti do të vijojë edhe gjatë muajit shtator me përurimin e librit me receta tradicionale arumune të znj. Lefteri Gjoshe, autore e librave për fëmijë kushtuar gatimit, njohëse e kulinarisë arumune dhe fituese e edicionit të dytë të programit televiziv “Gjyshet milionere”, transmetuar nga RTSH.
Ruajtja e artizanatit arumun nuk është vetëm ruajtje e objekteve të së kaluarës. Është ruajtje e një kujtese kolektive, e një mënyre jetese dhe e një identiteti kulturor që vazhdon të jetë pjesë e diversitetit të shoqërisë shqiptare.
Artizanati, tradita dhe kujtesa kulturore janë ura që lidhin brezat dhe e bëjnë trashëgiminë të jetojë në të tashmen.









