Të paktën pesë persona kanë humbur jetën pasi një avion transportues i Amazon doli nga pista gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar të Miamit të dielën pasdite, duke goditur disa automjete dhe më pas duke u përfshirë nga zjarri.
Pesë persona të tjerë u lënduan në aksident, bëri të ditur shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Miami-Dade, Raied “Ray” Jadallah, gjatë një konference për media të dielën në mbrëmje.
Sipas Jadallah, disa nga viktimat kishin mbetur të bllokuara brenda automjeteve që u goditën nga avioni dhe ekipet e shpëtimit u detyruan t’i nxirrnin nga to.
Avioni, një Boeing 767-300 për transport mallrash, po fluturonte nga San Juani i Porto Rikos drejt Miamit. Administrata Federale e Aviacionit e Shteteve të Bashkuara bëri të ditur se fluturakja doli nga pista pasi u ul në Miami rreth orës 14:00.Sipas të dhënave të faqes për gjurmimin e fluturimeve Flightradar24, avioni po lëvizte me shpejtësi prej afro 209 kilometrash në orë kur doli nga pjesa e përdorshme e pistës.
CNN, pas shqyrtimit të komunikimeve ndërmjet pilotëve dhe kontrollit të trafikut ajror, raportoi se ekuipazhi nuk kishte shpallur gjendje emergjente para uljes, transmeton KosovaPress.
Ekipet e shpëtimit raportuan se pilotët ishin nxjerrë nga avioni dhe po merrnin trajtim mjekësor. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë e ditur.