Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

100 ditë “Revolucioni Flamingo”, qytetarët paralajmërojnë mosbindje civile, sot pritet të mbahet protestë kombëtare

Shkruar nga Newsbomb
100 ditë “Revolucioni Flamingo”, qytetarët
Pamje nga protesta ne Tirane, njohur si Revolucioni i Flamingove/ © Isa Myzyraj

Data e sotme, 7 shtator 2026, përkon me ditën e 100-të të protestës qytetare në Tiranë e ashtuquajtur “Revolucioni Flamingo”. Prej njëqind ditësh, qindra qytetarë janë bërë bashkë në qendër të Tiranës, në Sheshin “Skënderbej”, duke vijuar me marshimin në drejtim të Kryeministrisë, aty ku ata kanë mbajtur fjalime për rreth 2-3 orë, me synim plotësimin e kërkesave të tyre, në mesin e të cilave kryeson ndryshimi i klasës politike.

“Revolucioni Flamingo” nisi më 23 maj në fshatin Zvërnec, dhe rreth një javë më vonë më 30 Maj u regjistrua dhuna e ushtruar nga një polic privat kundrejt një protestuesi, e cila u bë shkëndija që ndezi protestat në Tiranë, ku qytetarët nisën tubimet e përditshme të pandërprera çdo ditë rreth orës 18:00. Orar i cili ndryshoi gjatë ditëve të verës, dhe orari i grumbullimit u spostua për në orën 19:00.  

Lëvizja nisi si reagim mjedisor kundër projektit turistik luksoz të investitorit amerikan Jared Kushner në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës dhe Ishullit të Sazanit. Ajo mori emrin "Revolucioni i Flamingove" sepse zona e projektuar është habitati natyror i këtyre shpendëve.

Më tej protesta mori përmasa më të mëdha, përtej kauzës mjedisore duke kërkuar transparencë ligjore dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ndër 5 kërkesat që janë paraqitur nga protestuesit, të cilat u prezantuan më 22 qershor, nga Dritan Goxhaj, emër ky i cili ngjalli shumë përplasje dhe polemika në sferën politike. Pas reagimeve të vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama dhe jo vetëm.

Ashtu siç e kishin paralajmëruar, pas mbylljes së protestave të zhvilluara në ditët e verës, fillimi i shtatorit ishte me ndryshime të theksuara në tubimi. 1 shtatori u zhvillua tërësisht ndryshe, pasi qytetarët zgjodhën që të mos mbanin fjalime dhe rrethuan Kryeministrinë, brenda të cilës atë ditë ishte dhe kreu i qeverisë së bashku me zyrtarët. 1 shtatori u zhvillua dhe me përplasje mes efektivëve dhe qytetarëve, ku disa prej këtyre të fundit u vendosën dhe në pranga.

Njëjtë si 1 shtatori është parashikuar të zhvillohet dhe protesta e sotme, e cila përkon me tubimin e 100-të në kryeqytetet. Qytetarët kanë paralajmëruar se nga dita në ditë protestat do të marrin përmasa më të madhe, madje kanë paralajmëruar dhe për mosbindje civile.

Pesë pikat e platformës vijojnë si më poshtë:

Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.

Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.

Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;

Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Mos heqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:

Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese