Një shtetas shqiptar është plagosur me armë zjarri në një atentat të ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen Patisia të Athinës.
Ngjarja është shënuar rreth orës 04:55, në rrugën Vrutu, në momentin kur 55-vjeçari po dilte nga banesa e tij.
Sipas informacioneve paraprake, ndaj shqiptarit është qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët pas sulmit janë larguar nga vendngjarja me një motoçikletë.
I plagosuri është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr trajtimin mjekësor. Burime bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Për momentin, identiteti i 55-vjeçarit nuk është bërë publik.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të atentatit dhe identifikimin e autorëve janë marrë përsipër nga Drejtoria e Krimit të Organizuar pranë Drejtorisë së Policisë së Atikës.
Policia po punon për të përcaktuar motivin e sulmit, ndërsa vijojnë hetimet për kapjen e dy autorëve.













