
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin Levan-Tepelenë, ku një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Përplasja ka ndodhur mes dy automjeteve, një “Audi” dhe një “Mercedes-Benz”. Si pasojë e goditjes së fortë, drejtuesi i “Audit” ka humbur jetën, ndërsa katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore dhe, sipas të dhënave paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të aksidentit.
Dyshimet paraprake lidhen me shpejtësinë e lartë, e cila mund të ketë bërë të pamundur kontrollin e mjeteve dhe ka sjellë përplasjen fatale.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe shkaqeve të aksidentit./Versus.al

