Prokuroria Speciale e Kosovës ka dorëzuar aktakuzë me propozim për gjykim në mungesë ndaj 35 të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, lidhur me sulmin e forcave serbe në mars të vitit 1998 ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.
Të pandehurit, sipas Prokurorisë janë: J.S., V.D., S.L., G.R., M.U., Z.T., Z.S., S.V., B.C., Z.M., R.S., V.T., B.P., R.M., M.S., S.I., N.S., B.F., Z.B., C.B., Z.R., D.I., S.M., V.J., M.L., R.C., S.P., N.M., V.R., D.Z., O.S., B.D., L.C., I.T. dhe M.B.
Sipas aktakuzës, ata akuzohen se, si udhëheqës të Njësive Speciale të Policisë Serbe, kishin planifikuar, koordinuar dhe drejtuar operacionin e armatosur kundër lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm.
Prokurori Gashi ka bërë të ditur numrin e të pandehurve të identifikuar dhe pozitat e tyre.
“Si rezultat i hetimit, bazuar në provat materiale dhe personale, kemi arritur t’i identifikojmë 35 të pandehur në këtë rast, të cilët i përkasin pozitave të larta komanduese në strukturat e njësive speciale të Policisë Serbe.”
Ai ka thënë se janë vërtetuar detajet e forcave serbe dhe dëmet e shkaktuara gjatë sulmit.
“Gjithashtu është arritur që të vërtetohet saktë se cilat njësi të forcave serbe kanë marrë pjesë në këtë sulm, pozicioni ku kanë sulmuar ata, aktivitetet e secilit prej të pandehurve, arsenali i armatimit që është përdorur, dhe dëmet që janë shkaktuar si në njerëz, ashtu edhe në pasuri.”
Më tej, ai ka treguar numrin e civilëve të vrarë gjatë këtij aksioni.
“Provat e siguruara gjatë hetimit të këtij rasti kanë vërtetuar se në këtë sulm janë vrarë 26 persona civilë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë — duke filluar nga mosha 5-vjeçare — gra dhe të moshuar. Përveç tjerash, është provuar se gjatë këtij sulmi, forcat e njësive speciale serbe kishin marrë peng nga shtëpitë e tyre banorë të lagjes Jashari, me të cilin rast i kishin maltretuar në mënyrat më të ndryshme.