Nga Ola Mitre
Të shtunën e 21 marsit, ndërsa po bëheshin gati të hidhnin varkat në ujërat e kristalta të Vjosës, operatorët që merren me rafting u përballën me sekuestrimin e mjeteve nga punonjësit e administratës së parkut. Shkaku lidhej me kufizimin e vendosur në Planin e Menaxhimit të Vjosës, që lejon ushtrimin e këtij aktiviteti vetëm gjatë një periudhe të caktuar të vitit.
“Gjithçka ndodhi krejt papritur. Ishim plot me turistë dhe ishte një situatë shumë absurd”, – thotë Alma Spathara, nga Federata Shqiptare e Rafting-ut.
Operatorët pretendojnë se, ndonëse prej vitesh ushtrojnë rafting në Vjosë, nuk kanë qenë pjesë e konsultimeve për përcaktimin e rregullave që prekin aktivitetin e tyre dhe se nuk ishin në dijeni të kufizimit.
Edhe Olsi Nika, drejtues i “Eco Albania”, një ndër organizatat që ka luftuar prej vitesh për mbrojtjen e Vjosës, vlerëson se konsultimi për Planin e Menaxhimit nuk ka qenë në standardin e duhur dhe se për aktivitete specifike, si rafting-u, diskutimi me grupet e interesit duhej të ishte më i gjerë.
Por, përtej mënyrës se si u zhvillua konsultimi, pikëpyetja kryesore lidhet me bazën mbi të cilën u vendosën vetë kufizimet për rafting-un.
Kufizime, pa studime shkencore
Në mars të vitit 2023, pas një beteje disa vjeçare, Vjosa u shpall Park Kombëtar, ndërsa në shtator të vitit 2025 ajo u përfshi edhe në listën e pasurive të mbrojtura nga UNESCO. Në fund të vitit 2024, me vendim të qeverisë u ngrit një zyrë e veçantë për menaxhimin e lumit, e cila do të funksiononte si drejtori nën varësi të administratës së zonave të mbrojtura. Po në vitin 2024 u miratua Plani i Menaxhimit, që shtron rrugën për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj deri në vitin 2033.
Sipas këtij plani, “rafting lejohet nga 1 maji deri më 15 tetor çdo vit, çdo ditë nga ora 9:30 deri në 17:30”, ndërsa përcaktohen edhe koordinatat dhe rregullat e sjelljes për operatorët që ushtrojnë këtë aktivitet. Në dokument shpjegohet se këto rregulla janë vendosur “sipas standardeve të përdorura në një park tjetër kombëtar (Parku Kombëtar Gesäuse, Austri), ku gjithashtu është i mundur rafting brenda zonës qendrore të zonës së mbrojtur”.
Ky kufizim ka prodhuar një konflikt mes organeve ligjzbatuese dhe operatorëve të rafting-ut. Këta të fundit pretendojnë se kanë qenë ndër të parët që kanë kërkuar mbrojtjen e lumit, por se kjo nuk mund të bëhet në dëm të komuniteteve lokale.
“Çdo gjë ka qenë shumë e papritur për ne. As nuk e dinim që qenka diskutuar një kufizim i tillë dhe jo më që ai paska marrë edhe formë ligjore”, – thotë Spathara.
“Ne nuk jemi kundër, por duam të dimë mbi cilat fakte apo studime është marrë vendimi për të reduktuar aktivitetin e rafting-ut”, – shton ajo.
Olsi Nika, i cili e ka ndjekur procesin e hartimit të Planit të Menaxhimit, thotë se kufizimet mbi periudhën dhe numrin e varkave janë vendosur apriori dhe jo bazuar në ndonjë studim konkret mbi ndikimin e rafting-ut.
“Apriori është vendosur sepse askush nuk di të thotë pse nuk bëhet rafting në fund të tetorit, ta zëmë, ose përpara datës 1 maj”, – shpjegon Nika.
Sipas tij, është e domosdoshme që ky aktivitet të rregullohet, por fillimisht duhet të kryhen studime konkrete, mbi të cilat më pas të bazohen vendimet.
“Kur them rregullim kam parasysh katër elementë kyçë. Së pari, limitimet që lidhen me periudhën se kur mund të lejohet rafting; së dyti, hapësirën se ku mund të bëhet; së treti, stacionet ku të hysh dhe ku të dalësh nga lumi dhe, së katërti, numrin e varkave”, – shpjegon Nika, duke nënvizuar se të gjithë këto elemente mund të ndikojnë në biodiversitetin e lumit.
“Nëse bëhen të gjitha këto studime dhe ti ke një bazë shkencore, atëherë mund të fillosh të diskutosh”, – shton ai.
Kur flitet për periudhën se kur mund të zhvillohet ky aktivitet, sipas Nikës duhet të shmangen periudhat e shumimit të specieve të rrezikuara, përfshirë salmonidet apo troftat.
“Nëse ti ke 2 mijë varka, për 7 muaj rresht, patjetër që ndikon, ndaj duhet limituar edhe numri i varkave”, – sugjeron Nika.
Ai shton se edhe pikat e hyrjes në lumë duhet të mirëpërcaktohen, për të shmangur dëmtimin e vendeve të shumimit të disa shpendëve, siç janë baldakët, lloje të kërcënuara që i lëshojnë vezët në zallishte.
Alma Spathara, nga ana tjetër, këmbëngul se vendimmarrja aktuale nuk është e bazuar në fakte.
“Përse mund të bëjmë rafting në verë, kur niveli i ujit bie dhe varkat mund të prekin shtratin e lumit duke e dëmtuar atë, dhe nuk lejohet ta bëjmë në dimër, kur niveli i ujit është më i lartë?”, – pyet ajo.
Nika, me profesion biolog, thotë se kjo është një vërejtje e drejtë, por për momentin mbetet një hamendësim, ndaj nevojiten studime.
Megjithatë, ai shpjegon se mbrojtja e lumit nuk mund të sigurohet duke gjeneruar konflikte me banorët. Sipas tij, të dhënat shkencore duhet të balancohen edhe me interesat e komuniteteve që jetojnë përreth lumit.
“Të dhënat shkencore mund të thonë se rafting mund të bëhet vetëm një muaj në një zonë të caktuar të lumit, por kjo mund të bjerë ndesh me interesat e banorëve që ushtrojnë rafting. Sipas opinionit tim, kjo duhet marrë në konsideratë. Duhet gjetur një e mesme që nuk e dëmton natyrën, por edhe mbështet ekonominë”, – shpjegon Nika.
Vetëm pak ditë pas kësaj përplasjeje, më 24 mars, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, thirri në takim operatorët turistikë, Bashkinë Përmet dhe Zyrën e Administrimit të Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa, ku u vendos që periudha e lejuar për rafting të zgjerohet nga 1 prilli deri më 1 nëntor.
Mjedisorët e shohin me skepticizëm edhe këtë variant të ri dhe thonë se po përsëritet i njëjti gabim si me Planin e Menaxhimit, që është përcaktimi i kufizimeve pa një bazë shkencore.
“Nuk mund të zgjidhen problemet kështu, sepse tashmë kemi një marrëveshje që i zgjeroi limitet e periudhës së ushtrimit të rafting-ut. Pse kjo marrëveshje e re?! Ku është e bazuar në fakte shkencore?! Pra, prapë apriori”, – thotë Nika.
Beteja për mbrojtjen e Vjosës nis nga rafting-u?
Parku Kombëtar i Vjosës kërcënohet nga një sërë presionesh, që e bëjnë të vështirë zbatimin e Planit të Menaxhimit.
Ndërsa prisnin ndërhyrje më domethënëse për mbrojtjen e lumit, ekspertët besojnë se masa të tilla jo vetëm cenojnë besimin e publikut, por krijojnë edhe perceptimin e ndërhyrjeve “sa për të thënë se po bëjmë diçka”.
“Ne flasim për rafting dhe nuk shohim elefantin në dhomë. Aty derdhet nafta, aty derdhet mazut, aty derdhen inerte, aty gjysma e sasisë së ujit devijohet pa fund”, – thotë Nika.
Rafting-u në Vjosë është kthyer në një nga atraksionet kryesore turistike, duke kontribuar në rigjallërimin e turizmit në qytetet buzë lumit. Në platformat e rezervimeve online, ky aktivitet shfaqet ndër të parët për zonën.
Pas 27 vitesh përpjekjesh për promovimin e këtij sporti, operatorët thonë se po korrin rezultatet e para, ndërsa aktiviteti është kthyer në burim të ardhurash jo vetëm për ta, por edhe për një pjesë të ekonomisë lokale.
“Janë 200 familje që jetojnë me rafting dhe shumë hotele mbushen pikërisht nga këta vizitorë. Na është dashur një punë e madhe që ta bëjmë Vjosën të njohur për rafting. Kush e njihte rafting-un në Shqipëri?”, – thotë Alma Spathara.
Operatorët e konsiderojnë të padrejtë mënyrën se si u zbatua kufizimi, duke argumentuar se aktiviteti zhvillohet vetëm në rreth 8 km, nga rreth 190 km që është gjatësia e Vjosës. Ndërkohë, rritja e numrit të turistëve po e vendos lumin përballë destinacioneve të konsoliduara të rafting-ut në Europë. Spathara përmend si shembull lumin Soça, prej vitesh një prej destinacioneve të njohura për këtë aktivitet.
Në këtë kontekst, Federata e Rafting-ut ka nisur hartimin e një plani menaxhimi për rafting-un, kajakun dhe mjetet motorike, që pritet t’u dërgohet institucioneve përgjegjëse. Operatorët kërkojnë mundësinë e ushtrimit të rafting-ut përgjatë gjithë vitit, por pranojnë se aktiviteti duhet t’u nënshtrohet rregullave.