Dy aksidente të rënda rrugore kanë shënuar një mëngjes tragjik në vend, duke lënë pas dy viktima dhe nëntë persona të plagosur.
Aksidenti i parë ndodhi në autostradën Durrës-Tiranë, ku pesë automjete u përfshinë në një përplasje zinxhir.
Sipas të dhënave paraprake, 45-vjeçari Hysen Balla ka përplasur nga pas një kamion me automjetin e tij.
Përplasja ka rezultuar fatale për të, pasi ai ka humbur jetën në vendngjarje.
Tre automjete që udhëtonin pas tij nuk kanë mundur të shmangin përplasjen dhe janë përplasur me makinën e viktimës.
Si pasojë, pesë pasagjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar për ndihmë mjekësore.
Ndërkohë, drejtuesja e një prej automjeteve të përfshira është larguar nga vendi i aksidentit, por më pas është shoqëruar nga Policia për të dhënë shpjegime lidhur me ngjarjen.
Vetëm pak më herët, një tjetër aksident fatal ishte regjistruar në aksin Levan-Tepelenë.
Në këtë ngjarje humbi jetën 55-vjeçari Dashmir Beca, i cili po drejtonte një automjet tip “Audi”. Makina e tij u përplas me një “Benz”, që drejtohej nga një 40-vjeçar.
Beca nuk mundi t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Ndërkohë, drejtuesi i “Benz”-it dhe tre pasagjerët që ndodheshin në automjet janë dërguar në spital dhe, sipas informacioneve paraprake, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për të dyja ngjarjet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidenteve./Versus.al



