SHBA- Një avion cargo i kompanisë Prime Air ka dalë nga pista gjatë uljes në aeroportin ndërkombëtar të Miamit, duke u përplasur me disa automjete në zonën përreth aeroportit.
Si pasojë e aksidentit, të paktën pesë persona kanë humbur jetën, ndërsa pesë të tjerë janë plagosur. Tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike, sipas autoriteteve lokale.
Ngjarja ndodhi të dielën, rreth orës 14:00 me orën lokale, kur fluturimi Prime Air 7598, i nisur nga San Juan i Porto Rikos, po kryente uljen në aeroportin e Miamit. Avioni, një Boeing 767-300, doli nga pista dhe përfundoi në zonën përreth, duke goditur disa automjete.
Pas përplasjes, avioni u përfshi nga flakët dhe në zonë u krijua një situatë komplekse për ekipet e emergjencës. Mbi 60 mjete të shërbimeve zjarrfikëse dhe rreth 200 persona u angazhuan në operacionin e shpëtimit. Disa persona mbetën të bllokuar në automjetet e goditura, ndërsa edhe piloti dhe bashkëpiloti u raportuan fillimisht të bllokuar në kabinën e avionit.
Aeroporti ndërpreu përkohësisht operacionet dhe të gjitha pistat u mbyllën pas aksidentit. Më shumë se 160 fluturime u anuluan dhe rreth 325 të tjera u vonuan, ndërsa trafiku ajror rifilloi më pas në mënyrë të kufizuar.
Shkaqet e aksidentit ende nuk janë përcaktuar. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Avioni, i operuar nga kompania amerikane 21 Air, ishte prodhuar para 32 vitesh dhe fillimisht ishte ndërtuar për transport pasagjerësh, përpara se të konvertohej në avion cargo në vitin 2015.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/