Kosova mund të ofrojë amendament kushtetues si garanci për të drejtat e serbëve - NACIONALE

Kosova mund të ofrojë amendament kushtetues si garanci për të drejtat e serbëve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Njohësit e çështjeve kushtetuese kanë kundërshtuar çfarëdo mundësie të ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës për shkak të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Arsim Bajrami dhe Enver Hasani kanë treguar për pasojat që mund t’i ketë Kosova nëse një asociacioni të tillë do t’i jepeshin kompetenca shtesë.

Sipas tyre, hapja e Kushtetutës për këtë çështje do të thoshte autonomi territoriale për komunitetin serb në Kosovë.

Por, Arsim Bajrami, njëri nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ka treguar se çka mund të bëjnë institucionet e Kosovës për ta shmangur presionin ndërkombëtar për këtë çështje.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se në fazën finale të bisedimeve me Serbinë, Kosova mund të japë garanci shtesë para bashkësisë ndërkombëtare për të drejtat ekzistuese të serbëve.

Sipas tij, kjo mund të bëhet edhe përmes një amendamenti të ri kushtetues.

“Nëse duhet që ne te japim edhe ndonjë garancion, atëherë garancioni mund të jetë premtimi i institucioneve të Kosovës që me një amendament kushtetues të garantojnë komunitetin serb se të drejtat e fituara që i kanë në kushtetutë nuk do të preken edhe për një periudhë kohore 10-vjeçare. Pra, të gjitha të drejtat që i kanë me pakon e Ahtisarit, nuk do të zvogëlohen nga asnjë qeveri e Kosovës për një periudhë 10-vjeçare”, ka thënë Bajrami.

Ai ka treguar se këtu mund të manovrojë delegacioni i Kosovës gjatë bisedimeve në Bruksel.

“Në këtë mënyrë do të sigurohen serbët se nuk kemi asnjë tendencë për t'u zvogëluar të drejtat që i kanë. Kjo është një fushë e gjerë që delegacioni i Kosovës do të mund të manovrojë në dialog, duke thënë se ne mund të japim garancione ndërkombëtare dhe kushtetuese që të drejtat e fituara të serbëve do të vlejnë”, ka thënë Bajrami.

Kompetencat ekzekutive çojnë drejt një autonomie për serbët

Njohësit e çështjeve kushtetuese kanë tërhequr vërejtjen se një Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe legjislative është shumë i rrezikshëm për shtetin e Kosovës.

“Çfarëdo hapje e Kushtetutës për asociacionin, është vendosje e një autonomie politiko-territoriale për serbët, që në të ardhmen do të mund të jetë një bazë e fortë kushtetuese që ata të marrin veprime dekonstrukive, përfshirë referendumin për shkëputje. Kosova ka qenë mjaft gjeneroze në Kushtetutë. Ne kemi një kapitull për të drejtat e pakicave, kemi qasje afirmative dhe kemi dhënë maksimumin që një shtet mund të japë për pakicat”, ka thënë Bajrami për gazetën Nacionale.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës nga një asociacion për kompetenca ekzekutive dhe legjislative.

“Formimi i Asociacionit është një detyrim kushtetues dhe ndërkombëtar, që vështirë se mund të anulohet. Kjo është një çështje tjetër prej natyrës juridiko-kushtetuese të Asociacionit. A do të jetë ai një strukturë juridiko-kushtetuese, që përfaqëson komunitetin serb të Kosovës si një komb shtetformues në Kosovë, apo do të ngelë siç është sot. Nëse ndryshon statusi juridik-kushtetues i komunitetit serb në Kosovë, doemos ndryshon edhe Kushtetuta e Kosovës dhe vetë natyra e shtetit tonë. Këtë synojnë serbët, jo pasje të kompetencave ekzekutive, sepse ato i kanë komunat e Kosovës gjithandej”, ka thënë Hasani për Insajder.

Ai ka treguar se Serbia do të synojë që në Kosovë ta ketë një strukturë juridiko-kushtetuese.

“Për të qenë më i qartë me ju, serbët synojnë që të fitojnë një strukturë juridiko-kushtetuese nga e drejta publike, që ka organet e veta që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë, që ndryshe quhet autonomi politiko-territoriale. Kjo është vetëm faza e radhës e serbëve. Prandaj ka shumë rëndësi që njohja jonë nga Serbia të jetë pika kryesore, njohja de jure, e plotë, e pakthyeshme dhe e tërësishme. Po nuk u bë kjo, serbët do të insistojnë pas një dekade në perfeksionimin e fitores së tyre që e synojnë me asociacionin, ashtu siç kanë bërë me decentralizimin, që tani duan ta fusin si kategori juridik-kushtetuese të posaçme, me emrin Asociacion”, ka thënë Hasani.

SHBA-ja dhe BE-ja insistojnë në formimin e Asociacionit

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës së fundit të Prishtinë, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës themelimin e asociacionit të Kosovës.

Ata kanë ftuar të dy shtetet që të tregohen konstruktive në procesin e dialogut, duke shtuar se nuk do të imponojnë modele për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Ne nuk kemi ardhur këtu me recetë propozimesh që do të donim t’i impononim. Në fakt, ne po kërkojmë nga të dyja palët që të jenë konstruktive, t’i ofrojnë vizionet e tyre se si duhet të duket Asociacioni dhe pastaj të negociojnë prej aty, në kuadër të dialogut”, ka thënë Escobar gjatë një konference të përbashkët për medie me Lajçakun.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , ka mohuar çdo mundësi të formimit të një asociacioni njëetnik në Kosovë. Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë çdo mundësi të formimit të një asociacioni me kompetenca ekzekutive.

Sipas tij, negociata për këtë çështje do të jenë vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kjo pritet të jetë tema kryesore që do të determinojë bisedimet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të ngjashme