Gary Neville ka kritikuar ashpër Patrick Dorgun për vendimin e tij në aksionin që çoi te goli i barazimit të Evertonit në minutat e fundit të ndeshjes ndaj Manchester Unitedit.
United barazoi 2-2 në “Hill Dickinson Stadium”, pasi Ainsley Maitland-Niles realizoi një gol spektakolar në minutat e fundit, pikërisht në debutimin e tij me Evertonin.
Bryan Mbeumo kishte kaluar Manchester Unitedin në epërsi, ndërsa Tyrique George barazoi rezultatin në 1-1.
Benjamin Sesko, i aktivizuar nga banka rezervë, realizoi golin e tij të parë të sezonit dhe dukej se po ia siguronte fitoren Unitedit. Megjithatë, për ndeshjen e tretë radhazi, skuadra pësoi dy gola, me Maitland-Niles që i dha Evertonit një pikë në fund.
Neville fajëson Dorgun për golin e barazimit
Edhe pse goditja e Maitland-Niles ishte e jashtëzakonshme, Neville beson se Manchester United mund ta kishte shmangur krejtësisht situatën që çoi te goli.
Sipas ish-kapitenit të Unitedit, Dorgu, i cili u aktivizua në pjesën e dytë, doli në mënyrë të panevojshme nga pozicioni për të ushtruar presing i vetëm, duke krijuar hapësirë që Evertoni e shfrytëzoi në krahun e majtë.
“Disa mund të thonë thjesht se ishin dy gola spektakolarë, por ai i fundit ishte një gol shumë i keq për t’u pësuar për shkak të mënyrës se si u zhvillua aksioni”, deklaroi Neville në podcastin e tij për “Sky Sports”.
“Dorgu, për një arsye të pakuptueshme, del për të bërë presing i vetëm. Andrey Santos nuk shkon pas tij për ta mbuluar dhe qëndron prapa.”
“Topi thjesht kalon përtej Dorgut. Për mua kjo tregon një mungesë të madhe komunikimi.”
Neville gjithashtu vuri në dukje ndryshimet që Manchester United kishte bërë në mbrojtje gjatë ndeshjes.
“Dalot largohet dhe Yoro futet në të djathtë. Ai qëndron shumë ngushtë dhe shumë prapa, njësoj si pjesa tjetër e mbrojtjes. Mazraoui ishte në krahun e majtë, kështu që United kishte ndryshuar përsëri vijën e mbrojtjes gjatë ndeshjes.”
“Nuk mund të bësh veprime të pamenduara”
Neville ishte veçanërisht kritik ndaj vendimit të Dorgut për të dalë nga pozicioni në një moment kaq delikat të ndeshjes.
“Harrojeni për një moment golin, sepse ishte një goditje speciale. Por shumë gjëra ndodhën para se topi të përfundonte në rrjetën e Manchester Unitedit.”
“Duhet të ngjitesh si skuadër dhe të sigurohesh që lojtarët të mos vrapojnë jashtë pozicionit duke bërë veprime të pamenduara.”
“Dorgu vrapon përpara, topi kalon përtej tij dhe Evertoni depërton shumë lehtë nga e majta.”
Neville shtoi se as Andrey Santos nuk reagoi siç duhej, ndërsa Yoro ishte vendosur tepër thellë.
“Santos nuk lëviz për ta mbuluar dhe, kur ai nuk shkon, Yoro mbetet shumë thellë dhe shumë ngushtë, pothuajse si një qendërmbrojtës i tretë apo i katërt, duke pritur që topi të futet në zonë.”
“Ata mund ta kishin ndalur aksionin që në burim. Po bërtisja teksa po ndodhte, sepse e di shumë mirë që në minutat e fundit kundërshtari do ta hedhë topin në zonë dhe do të luajë me dëshpërim.”
“Duhet të jesh i organizuar dhe Manchester United nuk ishte në ato minutat e fundit.”
Neville shqetësohet për ndryshimet e Carrickut në mbrojtje
Dorgu ishte një prej pesë zëvendësimeve të bëra nga trajneri Michael Carrick, ndërsa të dy mbrojtësit e krahëve, Luke Shaw dhe Diogo Dalot, u larguan nga fusha.
Neville beson se Carrick duhet të shmangë ndryshimet e shumta në repartin defensiv gjatë ndeshjeve.
“Nuk mund ta ndryshosh vazhdimisht katërshen e mbrojtjes”, deklaroi ai.
“Nëse ke një lojtar si Piero Hincapie që futet në vend të Riccardo Calafiorit, ndoshta mund ta bësh. Por Manchester United ka një mbrojtje me Shaw, Dalot, Maguire dhe Lisandro Martinez dhe nuk ka shumë alternativa prapa tyre.”
“Ndoshta Michael Carrick do të na tregojë se kishte dëmtime ose se mendoi se mund t’i kursente për pesë apo dhjetë minutat e fundit para ndeshjes së mesjavës, por kjo nuk është ideale.”
“Kjo është diçka shqetësuese”, përfundoi Neville. /GazetaExpress/
TGI Fridays, rrjeti i njohur amerikan i restoranteve casual dining, ka nënshkruar një marrëveshje zhvillimi me Devolli Group për...