SHBA-të, Koreja e Jugut dhe Japonia kanë nisur sot një stërvitje të përbashkët ushtarake pesëditore, me synim forcimin e aftësive operacionale dhe përmirësimin e koordinimit të tyre në situata të ndryshme, raportojnë mediat lokale.
Stërvitja, e pagëzuar “Freedom Edge”, po zhvillohet në ujërat ndërkombëtare në lindje dhe në jug të ishullit Jeju të Koresë së Jugut. Sipas agjencisë Yonhap, e cila citon Shefat e Përbashkët të Shtabit të Koresë së Jugut (JCS), aktiviteti ushtarak ka nisur sipas planit.
Stërvitja po zhvillohet pavarësisht vendimit të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të shkurtuar muajin e kaluar stërvitjen dypalëshe “Ulchi Freedom Shield” me Korenë e Jugut. Ky vendim u pa si një përpjekje për të krijuar kushte që Koreja e Veriut të rikthehej në tryezën e bisedimeve.
Sipas JCS-së, tre vendet do të përdorin stërvitjen për të rritur aftësitë e tyre të përbashkëta në disa fusha, përfshirë operacionet detare, ajrore dhe kibernetike. Synimi është gjithashtu ruajtja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të fortë mes tre vendeve.
Në “Freedom Edge” do të marrin pjesë mjete të rëndësishme detare dhe ajrore të forcave të armatosura amerikane, koreano-jugore dhe japoneze.
Operacionet do të koordinohen nga një strukturë e përbashkët kontrolli, e cila do të mbikëqyrë zhvillimin e stërvitjeve për të garantuar një zbatim të organizuar dhe të sigurt.
Ushtria e Koresë së Jugut ka deklaruar se stërvitja synon të forcojë aftësinë parandaluese dhe reagimin ndaj kërcënimeve të mundshme bërthamore dhe raketore nga Koreja e Veriut, duke kontribuar njëkohësisht në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Pheniani ka kundërshtuar vazhdimisht stërvitjet e përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të saj, duke i konsideruar ato si përgatitje për luftë.
Sipas burimeve të cituara nga Yonhap, në stërvitje do të angazhohen gjashtë shkatërrues të pajisur me sistemin e mbrojtjes “Aegis”, si dhe avionë patrullimi detar, avionë luftarakë dhe avionë cisternë për furnizim me karburant.
Koreja e Jugut do të marrë pjesë me shkatërruesit 7.600 tonësh “ROKS Yulgok Yi I” dhe “ROKS Seoae Ryu Seong-ryong”.
Japonia pritet të angazhojë shkatërruesit “Atago”, me peshë 7.700 tonë, dhe “Asahi”, 5.100 tonë, së bashku me avionë patrullimi detar P-1, helikopterë SH-60K dhe avionë luftarakë F-15.
Edhe Marina amerikane ka sinjalizuar praninë e saj në stërvitje. Javën e kaluar ajo njoftoi përmes rrjeteve sociale mbërritjen e shkatërruesit “USS Benfold”, të klasës “Arleigh Burke”, me peshë rreth 6.900 tonë, në një port të Busanit, në jug të Koresë së Jugut.
Megjithatë, një aeroplanmbajtëse amerikane nuk pritet të marrë pjesë në “Freedom Edge”, në një kohë kur SHBA-të janë të përfshira në luftën e vazhdueshme kundër Iranit.












