Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në qarkun e Fierit, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në toka bujqësore dhe në zona me bimësi.
Në fshatin Eskaj, Lushnjë, është arrestuar një 60-vjeçar, i identifikuar me inicialet K. B., pasi është konstatuar duke ndezur zjarr në mënyrë të qëllimshme në tokën që kishte marrë me qira.
Një tjetër arrestim është kryer në fshatin Hasturkas, në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta. Sipas të dhënave të policisë, 25-vjeçari E. S., banues në Fier, dyshohet se ka shkaktuar zjarr në grykëderdhjen e lumit Seman. Flakët kanë përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.
Ndërkohë, dy persona të moshës 71 dhe 77 vjeç janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre. Rastet janë regjistruar në fshatin Varibop, Fier, dhe në fshatin Çërrilë, Mallakastër.
Sipas policisë, zjarret kanë dalë jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë, duke përfshirë sipërfaqe me bimësi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.














