Kompania amerikane e birrës “Pabst Brewng Company” u ka bërë thirrje përdoruesve të rrjeteve sociale për ta ndihmuar të gjejë mijëra kanaçe me birrën e saj Blue Ribbon, të cilat janë vjedhur nga një qendër shpërndarjeje në Kaliforni. “E VJEDHUR”, shkroi kompania në rrjetet sociale, duke iu drejtuar edhe autorit të vjedhjes me një mesazh ironik: “Nuk të fajësojmë që doje t’u tregoje miqve sa shumë birrë ke, por do të donim ta kishe marrë në mënyrë të ndershme.”
Sipas policisë së Montclair, një person përdori dokumente të falsifikuara në një qendër shpërndarjeje të Anheuser-Busch dhe mori një ngarkesë birre me vlerë rreth 25 mijë dollarë. Ngarkesa, që peshonte rreth 18 tonë, ishte planifikuar të dërgohej në San Diego. Pabst ka bërë të ditur se po e trajton rastin shumë seriozisht, pavarësisht se situata duket e pazakontë, dhe ka ofruar një shpërblim për çdo informacion që ndihmon në gjetjen e birrës së vjedhur.
Policia tha se kjo ishte vjedhja e dytë e ndodhur po atë ditë në të njëjtën qendër shpërndarjeje. Më herët, një ngarkesë me vlerë 45 mijë dollarë, e destinuar për Tucson, Arizona, ishte marrë nga persona që përdorën gjithashtu dokumente të dyshimta. Hetuesit kanë gjetur ngjashmëri mes dy rasteve dhe po shqyrtojnë mundësinë që ato të jenë pjesë e të njëjtit operacion mashtrimi. Pabst ka edhe një mesazh për hajdutin: kompania i ka dhënë 18 ditë e 44 minuta për ta kthyer ngarkesën pa bërë pyetje. Afati është një referencë për vitin 1844, kur u themelua kompania. Për kthimin e birrës, Pabst ka ofruar gjithashtu një shpërblim, por nuk ka bërë të ditur shumën.