Lajmet e fundit

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 44 vatra zjarri. 14 prej tyre vijojnë të jenë aktive, nëntë janë nën mbikëqyrje, ndërsa 21 janë shuar.
Në terren janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 329 efektivë, mjete të shumta, gjashtë operacione me helikopterë, një avion Air Tractor dhe një dron.
Shkodër, situatë aktive në disa zona
Në qarkun e Shkodrës vijon aktive vatra Bardhaj-Myselim, ku ndërhyrja po kryhet nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar 71 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Aktive mbeten gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe aktualisht nuk paraqet rrezik për banesat.
Tiranë, ndërhyrje në Dajt dhe Kavajë
Në qarkun e Tiranës vijojnë aktive zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit.
Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, ndërsa në Kryezi të Kavajës është përdorur edhe një avion Air Tractor për ndërhyrjen nga ajri.
Dibër dhe Lezhë, disa vatra ende aktive
Në Dibër raportohen vatra aktive në Vajkal, Lundre-Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra në Lundre-Madhesh po mbështetet edhe nga Forcat e Armatosura.
Në Lezhë vijojnë aktive zjarret në Gallatë dhe në zonën Kalivaç-Zimaj-Kashnjet. Për këtë të fundit janë angazhuar 63 efektivë dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk raportohen banesa në rrezik.
Berat, aktive vetëm vatra në Vokopolë
Në qarkun e Beratit vijon aktive vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në qarqet e tjera të vendit, një pjesë e vatrave janë shuar ose ndodhen nën mbikëqyrje. Situata është monitoruar edhe në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.
Autoritetet bëjnë me dije se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit.