Bota

Sirenat nuk pushojnë në Kiev, 76 alarme vetëm në shtatë ditë

Kievi po përballet me numrin më të lartë të alarmeve ajrore ditore që prej nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022.

Analiza e të dhënave zyrtare tregon se sulmet ndaj kryeqytetit janë bërë pothuajse të pandërprera, duke paralizuar për orë të tëra shkollat, bizneset dhe transportin publik.

Sulmet ruse ndaj Kievit kanë hyrë në një fazë të re. Ndryshe nga vitet e para të luftës, kur shumica e sulmeve ndodhnin gjatë natës, Rusia tashmë po godet kryeqytetin edhe gjatë ditës, duke shkaktuar ndërprerje të vazhdueshme në jetën e përditshme.

Sipas analizës së të dhënave nga aplikacioni shtetëror Kyiv Digital, që prej fundit të gushtit sirenat e alarmit ajror në Kiev janë dëgjuar mesatarisht 10 herë në ditë.

Vetëm në shtatë ditët nga 27 gushti, kryeqyteti ukrainas regjistroi 76 alarme ajrore. Për krahasim, gjatë javës së parë të pushtimit rus në vitin 2022 u regjistruan rreth 66 alarme, shkruan BBC.

Të dhënat e ditëve të para të luftës nuk janë gjithmonë të plota, ndaj krahasimi absolut nuk është i përsosur. Megjithatë, tendenca është e qartë: Kievi po përballet me një intensifikim të jashtëzakonshëm të sulmeve.

Sulmet 24 orë në 24 kanë detyruar banorët të kërkojnë strehim deri në 13 herë brenda një dite. Alarmet mund të zgjasin vetëm disa minuta, por në raste të tjera kanë vazhduar për gati katër orë e gjysmë.

Nëntoka e qytetit, veçanërisht stacionet e metrosë dhe parkingjet nëntokësore, është kthyer sërish në vendstrehim për mijëra njerëz.

Të fundit