14 vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa qarqe të vendit, ndërsa situata paraqitet më problematike në Shkodër, Tiranë, Dibër dhe Lezhë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, në Shkodër, vijon aktive vatra e zjarrit në aksin Bardhaj–Myselim, ndërsa aktive mbeten edhe vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Në Tiranë, zjarret vijojnë aktive në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Situata në këto zona mbetet nën monitorim për shkak të terrenit dhe përhapjes së flakëve.
Në Dibër, vatrat aktive janë në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë, ndërsa vatra në aksin Lundre–Madhesh vijon të paraqesë problematika në terren.
Edhe në Lezhë situata mbetet shqetësuese, me vatra aktive në Gallatë dhe në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Për momentin nuk raportohet rrezik për banesat në këto zona.
Në Berat, vijon aktive vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar, ndërsa të tjera vijojnë të jenë nën mbikëqyrje.














