E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

“Lashë cigaren dhe alkoolin për pëllumbat”, pasioni 28-vjeçar që i ka kushtuar mijëra euro Klement Veshos: Janë adrenalina ime

Ilustrim · Vizion Plus

Klement Veshos prej gati tri dekadash, pëllumbat e garës i janë kthyer në pjesë të pandarë të jetës.

Një pasion që nisi para viteve të demokracisë dhe që me kalimin e kohës, u shndërrua në një angazhim të përditshëm, mes pasionit, garave, kupave por edhe shpenzimeve, aq sa tashmë dita e tij nuk ka kuptim pa pëllumbat.

“Unë ngrihem në mëngjes, laj sytë dhe direkt te pëllumbat, i shikoj njëherë aty. Unë i vura detyrë vetes. 28 vjet para e lashë edhe cigaren, edhe alkolin, e thashë këto paratë që do prish nëpër bilardo, do t’ia kushtoj pëllumbave. Ata janë adrenalina ime”, thotë Vesho.

Përtej pasionit, garat e pëllumbave janë sfidë më vete. Një prej pëllumbave të tij pak ditë më parë ka përshkuar rreth 1500 kilometra në vijë ajrore, një nga rezultatet më të veçanta të garave ku ka marrë pjesë.

Kupat e fituara ndër vite janë dëshmia e një pune të vazhdueshme dhe e përkushtimit ndaj këtij sporti.

“Kilometrat më të gjata i ka përshkruar  ky pëllumbi që erdhi nga Berlini në Pogradec. Një mijë e pesëqind kilometra, vijë ajrore. I pari në Shqipëri”, tregon ai.

Por pas garave dhe rezultateve fshihet edhe një tjetër realitet. Rritja dhe përgatitja e pëllumbave kërkon kohë dhe shpenzime. Ushqimi, vitaminat, kujdesi i përditshëm dhe përgatitja për gara mund të kushtojnë mijëra euro në vit.

Sipas Klementit në Shqipëri ky sport ende nuk gëzon mbështetje institucionale, ndryshe nga vendet fqinje.

“Shqipëria nuk na afron asgjë. Maqedonia i ka, ajo ofron ushqimin, edhe me ulje çmimi. Edhe vitaminat po ashtu. Shteti jonë ne asgjë s’na afron”, thotë ai.

Për të, pëllumbat nuk janë thjesht një sport.

Janë një mënyrë jetese, një pasion që prej 28 vitesh ka zëvendësuar zakone të tjera dhe që i ka dhënë emocione.

Dhe pavarësisht kostove apo mungesës së mbështetjes, ai thotë se nuk ka ndërmend të heqë dorë, sepse për të adrenalina e vërtetë nis pikërisht atëherë kur pëllumbi ngrihet në qiell dhe nis garën drejt shtëpisë./vizionplus.tv

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh