Anthony Gordon e ka vazhduar fillimin e shkëlqyer me fanellën e Barcelonës, duke dhuruar një tjetër asist në fitoren bindëse 5-0 ndaj Valencias.
Katalunasit triumfuan në “Mestalla” falë golave të Fermin Lopez, Lamine Yamal, i cili realizoi dy herë, Pedrit dhe Raphinhas, duke ruajtur epërsinë prej tri pikësh ndaj Real Madridit në krye të La Ligës.
Gordon asistoi te goli i Fermin Lopez në minutën e 22-të dhe me këtë arriti një statistikë të veçantë. Ai u bë vetëm lojtari i tretë në La Liga gjatë shekullit XXI që regjistron katër asistime në katër ndeshjet e para të kampionatit, pas Cesc Fabregas dhe Luis Suarez.
Tifozët kërkojnë përmirësim në finalizim
Gordon iu bashkua Barcelonës gjatë verës nga Newcastle United për 69.3 milionë funte dhe deri më tani ka lënë përshtypje shumë të mira me paraqitjet e tij.
Duke vepruar kryesisht nga krahu i majtë, reprezentuesi anglez ka krijuar probleme të vazhdueshme për mbrojtjet kundërshtare falë shpejtësisë së tij, ndërsa së bashku me Yamal dhe Raphinha ka formuar një treshe sulmuese shumë të rrezikshme në skuadrën e Hansi Flickut.
25-vjeçari ka fituar simpatinë e tifozëve edhe jashtë fushës, pasi ka treguar interes për të mësuar gjuhën katalanase, megjithëse ka pranuar se përshtatja me një gjuhë të re nuk ka qenë e lehtë.
Megjithatë, pavarësisht fillimit shumë të mirë, Gordon ende nuk ka arritur të shënojë golin e tij të parë për Barcelonën dhe pikërisht finalizimi është aspekti ku tifozët kërkojnë përmirësim.
Ai shpërdoroi disa raste të mira ndaj Valencias, pavarësisht fitores së thellë 5-0.
“Anthony Gordon është një lojtar shumë i mirë, por e vetmja gjë negative është se duhet ta përmirësojë finalizimin në situatat një kundër një. Nuk mund t’i humbasë këto raste në Ligën e Kampionëve”, shkroi një tifoz në rrjetin social X.
Një tjetër komentoi: “Anthony Gordon ka humbur shumë raste.”
Një tifoz tjetër shkroi: “Gordon, duhet të mësosh t’i ngresh më shumë goditjet nga toka. Lëvizjet po i bën siç duhet, por finalizimi po bëhet shqetësues.”
Ndërsa një tjetër shtoi: “Mënyra se si godet duket disi e plogësht. Kur ta rregullojë finalizimin, do të jetë shumë i vështirë për t’u ndalur.”
Gordon synon edhe rekordin e Messit
Tifozët e Newcastle e njohin mirë problemin e Gordonit me shpërdorimin e rasteve, pasi edhe gjatë tre vjetëve e gjysmë në “St James’ Park” ai humbi shpesh mundësi të mira për të shënuar.
Megjithatë, anglezi vazhdon të futet rregullisht në pozicione të favorshme dhe duket vetëm çështje kohe para se ta realizojë golin e parë me Barcelonën.
Katalunasit do ta nisin të mërkurën aventurën në Ligën e Kampionëve, kur do ta presin Feyenoordin, dhe Gordon do të synojë ta vazhdojë formën e mirë që ka treguar në këtë kompeticion.
Në sezonin e kaluar ai realizoi 10 gola në 12 paraqitje në Ligën e Kampionëve.
Më pas, Barcelona do të udhëtojë për t’u përballur me Levanten të dielën, më 13 shtator, ku Gordon do të ketë një tjetër mundësi për ta shtuar numrin e asistimeve.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, anglezi mund të synojë edhe rekordin e Lionel Messit për numrin më të madh të asistimeve në një sezon të La Ligës. Messi regjistroi 20 asistime në sezonin 2019/20. /GazetaExpress/
TGI Fridays, rrjeti i njohur amerikan i restoranteve casual dining, ka nënshkruar një marrëveshje zhvillimi me Devolli Group për...