Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Pa me sy masakrën në Çamëri dhe gjithë jetën ia kushtoi çështjes çame, shuhet historiani Hajredin Isufi

Shkruar nga Newsbomb
Pa me sy masakrën në Çamëri dhe gjithë jetën ia
Hajredin Isufi, personaliteti që i kushtoi jetën Çamërisë

Hajredin Isufi, një personalitet i shquar i cili i ka kushtuar jetën Çamërisë, është ndarë nga jeta, në moshën 93 vjeçare. Me punë, përkushtim dhe pasion, në veprën e tij ai ka dritësuar historinë, kujtesën sa të veçantë, befasuese, aq edhe dramatike të kësaj krahine në shekuj, bijtë e saj të shquar, trashëgiminë kulturore, origjinalitetin dhe vlerat e saj të papërsëritshme.

Vepra e tij voluminoze i bën nder jo vetëm Çamërisë, por edhe historiografisë shqiptare e më gjerë.

Hulumtuesi dhe punëtori i palodhur ka grumbulluar mijëra e mijëra rrëfime, foto, dokumente të arkivave familjare. Ana tjetër e punës kërkimore të tij, është shfrytëzimi i Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Institutit të Historisë, Bibliotekës Kombëtare etj.

Historiani Isufi e pa në sy Çamërinë, me heroizmin, me qëndresën, dramat, dhimbjen dhe dinjitetin e dhimbjes. Çamët, brezi që erdhi në Shqipëri pas një rrugëtimi biblik, duke lënë pas shtëpi të djegura dhe viktime të gjenocidit zervist, ruajtën krenarinë dhe dinjitetin dhe shumë shpejt u integruan në shoqërinë e vëllezërve të tyre shqiptarë. Pikërisht këtë vlerë të kësaj popullsie e gjejmë edhe në veprën e Hajredin Isufit, ku dinjiteti i dhimbjes bëhet bashkë me atë të mbijetesës.

Ai ka rrëfyer shpesh rrugëtimin e tij për në Çamëri në vitin 1989. Një pjesë të këtyre rrëfimeve, nga më të bukurat, do t’i gjeni në librin “Çamëria, studime historike-socialogjike shek.XIII-XX”.

I mbijetuari i masakrave greke solli dëshmi autentike për gjenocidin ndaj popullsisë Çame në librat dhe intervistat e tij sepse pa dhe përjetoi tragjedinë, me sytë e një fëmije 9 vjeçar. Përmes dëshmive të tij autentike për gjenocidin, ai ka prezantuar dhimbjen çame dhe nuk heshti për masakrën deri në frymën e fundit.

Në vitin 2005 ka botuar librin:"Çështja Çame dhe integrimi evropian", (bashkautor), ndërsa në vitin 2006, pa dritën e botimit libri tjetër i Hajredin Isufit “ Çamëria, studime historike-sociologjike shek.XIII-XX”.

Vepra tjetër “Çamëria nëpërmjet kronikave të kohës 1902- 1940” është jo një sy i historisë së Çamërisë, por mijëra sy ose rreth 380 sy kronikash dhe u përkasin rreth 60 organeve të shtypit vendas e të huaj, që kanë “regjistruar”, në bebet e tyre, si kamerat moderne, Çamërinë, mbijetesën dhe dramat e saj, plagët, dhimbjet, zërat, vuajtjet e çamëve.

Hajredin Isufi ka lindur në fshatin Rrëzanj, Çamëri, më  24 Dhjetor 1932. Më 1962 u diplomua në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori-Filologji. Ka punuar si arsimtar. Gjatë kësaj kohë, që nga viti 1964, është marrë në vijimësi me studime për historinë e Çamërisë. Ka punuar si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin e Historisë, Tiranë.

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe gjithë komunitetit çam, për këtë humbje të pazëvendësueshme, teksa ndan dhe këtë jetëshkrim të Hajredin Isufit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese