Nga Kristaq Xharo
Begradi e Prishtina janë shumë afër e shumë larg...
Beogradi dhe Prishtina janë afër në gjeografi. Disa qindra kilometra, disa kthesa mali, disa pika kufitare dhe një histori që nuk ka mësuar ende të kalojë traun. Në hartën e Europës duken si dy qytete fqinje; në hartën morale ngjajnë me dy brigje që i ndan një oqean. Gjeografia mat rrugën me kilometra. Historia e mat me varre. Dhe, për fat të keq, historia ka gjithmonë metrin më të gjatë.
Afër, në të njëjtën godinë ishin edhe në Hagë. Ratko Mladići dhe drejtuesit e UÇK-së kaluan nën të njëjtën çati të kompleksit të Scheveningenit, në korridore me dyer të të njëjtës ngjyrë dhe çelësa me të njëjtën zhurmë. ‘Drejtësia’ ndërkombëtare e ka këtë pasion për dekorin: i jep të njëjtën uniformë qelive dhe pastaj pa u bërë merak rrezikon të krijojë opinionin se ka të njëjtën uniformë edhe për historitë. Por muret e njëjta nuk prodhojnë domosdoshmërisht të njëjtën fajësi, sikurse e njëjta bankë të akuzuarish nuk krijon të njëjtën kauzë.
Afër duken edhe në kohë. Brenda pak ditësh, Beogradi nderon Mladićin, Prishtina marshon për drejtuesit e UÇK-së dhe Haga përgatitet të shpallë vendimin e 16 shtatorit. Një javë e vetme mban brenda saj një funeral, një marsh dhe një verdikt. Sikur historia e Ballkanit, e lodhur nga pritja, t’i kishte ngjeshur të gjitha në të njëjtën faqe kalendari: të dënuarin, të akuzuarit, viktimat, dëshmitarët dhe popujt që ende luftojnë për ruajtjen e historisë.
Paradoksalisht, afër i vendosi Haga edhe në akuza, duke përsëritur fjalë të rënda: krime lufte, krime kundër njerëzimit, përgjegjësi komanduese, viktima dhe dëshmitarë. Gjuha juridike i vendos termat në rresht si ushtarë me uniformë. Pastaj propaganda i fotografon nga larg dhe shpall se ushtritë qenkan të njëjta. Kështu lind simetria e rreme: mjafton që fjalët të ngjajnë, edhe kur realitetet që përshkruajnë qëndrojnë në skaje të kundërta.
Por janë në ekstreme larg në kauza. Mladiçi përfaqëson makinerinë ushtarake të një projekti shtetëror që rrethonte qytete, dëbonte popullsi dhe mbillte varre. UÇK-ja lindi nga nevoja e një populli për t’i mbijetuar shtypjes dhe për të fituar lirinë.
Larg janë edhe brenda sallës së gjyqit. Për Mladiçin, gjykimi përfundoi me një dënim të formës së prerë, të mbështetur mbi vite procesi, dokumente, zinxhirë komandimi dhe një gjeografi krimesh që nuk mund të fshihet me kurora lulesh. Në procesin ndaj drejtuesve të UÇK-së, provat dhe dëshmitë provojnë të kundërtën. Larg e shumë larg janë dhe dëshmitë. Në mbrojtje të komandantëve të UÇK-së, përveç një populli u rreshtuan edhe personalitete që bënë historinë e kohës.
Sa afër e sa larg...Në njërën anë të peshores qëndruan dëshmitarët e akuzës, disa të fshehur pas kodeve, perdeve dhe kujtimeve të mjegulluara nga koha; në tjetrën, njerëz që hynë me emrat dhe përgjegjësinë e tyre historike. Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s, John Duncan, Michael Durkee, James Rubin, Christopher Hill dhe Jock Covey nuk dëshmuan nga jehona e luftës, por nga dhomat ku merreshin vendimet e saj.
Jashtë sallës, William Walker, njeriu që i tregoi botës Reçakun, e quajti procesin të padrejtë dhe u shpreh i gatshëm të dëshmonte. Drejtësia duhet të dallojë anonimin e pëshpërimën nga dokumenti, kujtimin nga fakti dhe copëzën nga mozaiku. Heshtja ndaj këtyre zërave do të ishte një paragjykim tjetër; barazimi i tyre, një devijim moral i veshur me veladon.
Shumë larg dhe e ngarkuar është vetë akuza që mbart një borxh moral. Gjykata lindi nën hijen e raportit të Dick Martyt dhe pretendimeve për trafikim organesh, të cilat tronditën botën, por nuk u përfshinë në aktakuzën e procesit kryesor. Paradoksalisht, zhurma mbeti edhe pasi pretendimi më tronditës nuk hyri në gjykim. Akuza ndërroi rrobat, edhe pse vazhdoi të shitej në tregun e propagandës me foton e parë. Beogradi që e trilloi dhe e sajoi mori titullin, sqarimi mbeti me shkronja të vogla në fund të faqes.
Edhe më larg… Paradoksi i madh shfaqet në fund të kësaj parodie: një komb nderon vrasësin e dënuar, ndërsa tjetri mbron çlirimtarët e vet ende nën gjykim. Në Beograd, shteti shkon me avion për të marrë arkivolin dhe e mbështjell me flamur, sikur ky të ishte lavatriçe për historinë. Në Prishtinë, qytetarët dalin në shesh jo për të shkruar vendimin, por për të treguar që akuza ndaj komandantëve është akuzë ndaj historisë dhe aktakuzë kundër lirisë së Kosovës.
Paradoksi vazhdon. Sa afër duken në Beograd pushteti dhe turma, të shkrirë në përqafimin ceremonial të një krimineli – atje uniteti kombëtar gjendet edhe rreth një arkivoli. Jo aq afër duken Prishtina dhe Tirana në mbështetjen e çlirimtarëve dhe të një kauze sublime si “Liria ka emër”.
Të mbytura nga tymi i zjarreve të stinës dhe mjegullat elektorale, dy kryeqytetet shqiptare nuk arrijnë ta shohin njëra-tjetrën përtej kalkulatorëve të votave. Duhej të flisnin me një zë, por secila vazhdon të akordojë orkestrën për himnin e partisë së vet. Patriotizmi duket se nxirret nga sirtari për fushata dhe paloset sapo nis ndarja e pushtetit. Ndoshta edhe për këtë, protesta e 12 shtatorit do të mbetet më pranë shqiptarisë…
Në fund, sa afër e sa larg… Liria ka emër. Afërsia e adresës është rastësi; largësia e vlerave është zgjedhje. Dhe kombet mbahen mend për zgjedhjet, jo për hartat.
Kristaq Xharo*: Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET(Prof. Dr/ kolonel R)
se kuptoj pse e botoni kete injorantin e Henri Çilit? Ky sdi as te flas me goje e jo me te shkruaje
O Asmer Dybeku....thuaj sa shkolle ke, pastaj te jap te drejte ta quash prof. injorant
Liriavka emer, ajo quhet liri berisha, breke shitese te blloku udheheqjes.
Hahahaha! Oh sa kam qeshur, aman, aman o Perendi!
Pytne baton serbin,nifar lirim mehmetin,berat veshin,azdren çetnikun,vebi kajtazin,halil matoshin,ilir mirenen,milaim zeken,...keta kane deponu deshmi ne gjykaten e hages,e dine sakte kur vjen liria nga haga.
Ke harru Donika Gërdallën dhe Albin spiunin o Haki... Meqë je burrë e përmend emra,përmendi të tanë,apo jo ? Për këta që përmende e ke më të dēgjume,për Donikën që s'e përmend sepse është me VC tande,e ke me za dhe figurë që pohon: po,kam çu dosje në Hagë. Ky je ti,Haki...