Bayern Munich la pikët e para të sezonit pas barazimit 0-0 ndaj Schalke 04, ndërsa ish-futbollisti dhe analisti Dietmar Hamann drejtoi kritika të forta ndaj një prej përforcimeve të reja të kampionëve gjermanë.
Bayerni nuk arriti ta mposhtë skuadrën e sapongjitur në Bundesligë dhe, pas 67 javësh kampionati, humbi për herë të parë kreun e tabelës.
Pas ndeshjes, Hamann u ndal veçanërisht te Ismael Saibari, i transferuar gjatë verës nga PSV Eindhoven për rreth 50 milionë euro.
Hamann: Saibari është shumë i ngadalshëm
“Ismael Saibari është një futbollist shumë i mirë, por është tepër i ngadalshëm”, deklaroi Hamann në emisionin “Sky90”.
Sipas tij, problemi bëhet edhe më i dukshëm duke pasur parasysh se Bayerni tashmë ka Harry Kane në sulm.
“Ai nuk është thjesht i ngadalshëm, është si një Kane i dobët. Kane nuk është futbollisti më i shpejtë dhe tani as zëvendësuesi i tij nuk ka shpejtësi”, shtoi ish-lojtari i Bayernit.
Drejtuesit e klubit kishin theksuar pas transferimit se Saibari mund të luante në disa pozicione të repartit ofensiv, por Hamann nuk pajtohet me këtë vlerësim.
“Thonë se Saibari mund të luajë në katër pozicione. Unë them se mund të luajë vetëm në një: pas Kane. Në krah është shumë i ngadalshëm”, tha ai.
Hamann madje beson se Serge Gnabry është “një nivel më lart” se përforcimi i ri i Bayernit në rolin e numrit 10.
Hamann nuk bindet nga merkatoja e Bayernit
Kritikat e ish-mesfushorit nuk u kufizuan vetëm te Saibari.
Ai ka dyshime edhe për afatin kalimtar të Bayernit në përgjithësi.
Përveç Saibarit, klubi transferoi Nathaniel Brown nga Eintracht Frankfurt për një shumë të ngjashme, si dhe Bara Sapoko Ndiaye nga klubi partner Gambino Stars.
Sipas Hamann, pretendimi se Bayerni është përmirësuar në krahasim me sezonin e kaluar nuk qëndron.
“Gjithmonë thuhet se janë më të mirë se vitin e kaluar. Nuk janë më të mirë”, deklaroi ai.
“Dy lojtarët që erdhën janë Brown dhe Saibari. Ndërkohë kanë humbur Raphael Guerreiro, Leon Goretzka dhe Nicolas Jackson. Këta janë mbi 100 ndeshje përvojë dhe më shumë se 25 gola, përveç shpejtësisë së Jacksonit.”
Mungesa e shpejtësisë një problem për Bayernin
Hamann pranoi se nuk kishte qenë ndonjëherë admirues i madh i Nicolas Jackson, por theksoi se sulmuesi sillte një element që Saibari nuk e ofron.
“Nuk kam qenë tifozi më i madh i Jacksonit, por me shpejtësinë e tij ai e zgjaste lojën dhe krijonte hapësira për të tjerët”, tha Hamann.
Sipas tij, pikërisht ky profil i mungon aktualisht Bayernit në fazën sulmuese.
Dyshime edhe për Davies dhe Musialan
Hamann ngriti pikëpyetje edhe për situatën e Alphonso Davies dhe Jamal Musialas.
Davies vazhdon të ketë paqartësi rreth rikthimit të tij në nivelin më të lartë, ndërsa Musiala së fundmi bëri publike problemet e tij shëndetësore.
“Brenda klubit nuk janë të sigurt se në çfarë niveli do të rikthehet Davies, ndërsa edhe te Musiala ka aktualisht një pikëpyetje për arsye të tjera”, deklaroi Hamann.
Barazimi ndaj Schalke 04 ka shtuar presionin mbi Bayernin, ndërsa kritikat ndaj merkatos së verës kanë filluar të shfaqen që në javët e para të sezonit. /GazetaExpress/
TGI Fridays, rrjeti i njohur amerikan i restoranteve casual dining, ka nënshkruar një marrëveshje zhvillimi me Devolli Group për...