Lajmet e fundit

Fundjava solli një tjetër seri përballjesh interesante në garat ekipore të Pingpongut të Kosovës, me rikthimin e sezonit vjeshtor dhe ndeshje që sollën rezultate të rëndësishme në disa prej kategorive.
Në Superligën e meshkujve, Liria dhe Lidhja e Prizrenit vazhdojnë të mbajnë ritmin në krye të tabelës, ndërsa derbit e kryeqytetit sollën përballje të forta. Liria mbetet lider me pikë maksimale, ndërsa Lidhja e Prizrenit ndjek nga afër në pozitën e dytë, transmeton Klankosova.tv.
Edhe në Superligën e femrave, Liria vazhdon dominimin në krye, ndërsa Vushtrria zhvilloi një fundjavë të suksesshme me dy fitore. Në garën për pozitat e kreut, çdo pikë po merr gjithnjë e më shumë rëndësi.
Në Ligën e Parë të meshkujve, Ponte Prizreni dhe Gani Maloku vazhdojnë të shkëputen në krye të renditjes, duke regjistruar rezultate bindëse dhe duke konfirmuar ambiciet e tyre për ngjitje në Superligë.
Ndërkohë, në Ligën e Dytë A, Skenderaj vazhdon sezonin pa humbje, ndërsa në Ligën e Dytë B, Maestro kalon përkohësisht në krye të tabelës pas një fundjave me dy fitore.
Një vëmendje të veçantë këtë fundjavë pati edhe Liga U15 e meshkujve, ku kanë nisur garat ekipore të sezonit vjeshtor. TTC Ferizaj, Gani Maloku dhe Ahmet Hoxha ishin ekipet që spikatën në xhirot e para, ndërsa TTC Ferizaj e mbylli këtë fazë pa humbje dhe kryeson renditjen.