Aktivisti Edison Lika ka bërë një bilanc të 100 ditëve të protestës, ndërsa ka paralajmëruar vijimin e aksionit qytetar me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Lika deklaroi se protestuesit do të jenë të martën përpara Kuvendit, ku, sipas tij, deputetët do të priten “me vezë”.
“Për sa kohë strategjia e atyre në pushtet nuk ka ndryshuar dhe vazhdojnë të kenë veshë të shurdhër, ne do të jemi aty për t’ju thënë se nuk kemi ndryshuar. Do të jemi nesër te Parlamenti për t’i pritur me përshëndetje dhe me vezë të gjithë deputetët që nuk na kanë përfaqësuar”, deklaroi Lika.
Aktivisti pretendoi se gjatë 100 ditëve të protestës është arritur të ndryshohet perceptimi i qytetarëve dhe të rritet besimi mes pjesëmarrësve në lëvizje.
Sipas tij, një rol të rëndësishëm në këtë proces ka edhe diaspora shqiptare.
“Ne kemi fituar besimin te njëri-tjetri dhe te diaspora jonë, e cila nuk është më thjesht një bankomat apo shtet social i munguar, por janë vëllezërit e motrat tona që do të na ndihmojnë për demokracinë”, u shpreh ai në News24.














