José Mourinho ka dalë në konferencë për shtyp në prag të përballjes mes Real Madridit dhe Interit në Champions League, një sfidë që e rikthen trajnerin portugez përballë klubit ku shkroi historinë duke fituar tripletën në vitin 2010.
Mourinho foli edhe për përballjen me ish-lojtarin e tij, Cristian Chivu, i cili tashmë drejton Interin. ‘Special One’ zbuloi se e kishte vëzhguar prej kohësh pasionin e rumunit për trajnerin.
“Kam pasur shumë kontakte me të kur unë isha tek Roma dhe ai drejtonte ekipin Primavera. Rrallë kam takuar ish-lojtarë që kanë pasur kaq shumë pasion për një profesion kaq të vështirë. E kam kuptuar gjithmonë se ai dëshironte shumë të bëhej një trajner i nivelit të lartë”, tha Mourinho.
Pavarësisht lidhjes së veçantë me Interin, portugezi theksoi se emocionet do të lihen mënjanë gjatë ndeshjes.
“A është një ndeshje speciale ndaj Interit? Në këtë moment po, pas ndeshjes po, por gjatë ndeshjes jo. Do të jetë si të gjitha të tjerat: duam të fitojmë”, u shpreh ai.
Mourinho foli edhe për Jude Bellingham, i cili duket se ka rigjetur formën më të mirë pas ardhjes së trajnerit portugez në Madrid.
“E rëndësishme është që lojtarët të ndihen mirë. Është më e rëndësishme ajo që mendojnë ata sesa ajo që ti beson se është e drejtë. Pastaj ka situata kur duhet t’i bindësh të bëjnë gjëra që u pëlqejnë më pak”, tha Mourinho.
Për përballjen e shumëpritur mes Lautaro Martinezit dhe Kylian Mbappés, trajneri i Realit nuk dëshiron të fokusohet vetëm tek dy sulmuesit.
“Janë të ndryshëm dhe të dy shumë të rëndësishëm për skuadrat e tyre. Nesër, edhe pse kemi tre lojtarë të pezulluar, luhet 11 kundër 11”, theksoi ai.
Mourinho pranoi se situata në mesfushë është veçanërisht problematike për Real Madridin. “Për ne do të jetë e vështirë në mesfushë. Ndoshta kalendarin e ka bërë një italian”, tha ai me humor.
Në fund, Mourinho iu përgjigj edhe atyre që mendojnë se është bërë më i qetë në rikthimin e tij në Madrid: “Më i qetë? Jo, jam ende i njëjti”.
© SYRI.net
Pas 9 muajsh jashtë! Medon Berisha rikthehet në fushë me Leccen
E pabesueshme/ Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, arrestohet në moshën 95-vjeçare
PSG drejt rekordit historik, 10 yje në garë për ‘Topin e Artë’Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: