Ratko Mlladiq, komandanti i serbëve të Bosnjës, i cili vdiq ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime lufte, u varros të hënën me nderime ushtarake dhe në prani të një turme të madhe njerëzish, ndërsa Serbia shpërfilli paralajmërimet e Bashkimit Evropian kundër lejimit të nderimeve publike për njeriun i cili u shpall fajtor për rastin e parë të gjenocidit në kontinentin e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan agjencia "AP".
Mijëra persona nisën të mbërrinin herët në mëngjes në një kishë të vogël ortodokse serbe në Beograd për t’i bërë nderimet Mlladiqit, ndërsa trupi i tij ishte vendosur për homazhe. Mlladiqi ende shihet si hero nga shumë serbë. Kapela e tij ushtarake dhe shpata ishin vendosur mbi arkivol, i cili ishte rrethuar nga burra me uniforma ushtarake.
Patriarku Porfirije, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, udhëhoqi ceremoninë mortore, ndërsa ushtarë të Ushtrisë serbe bartën arkivolin e Mlladiqit, të mbështjellë me flamurin e Serbisë, për në varreza. Të pranishmit duartrokitën, ndërsa një orkestër ushtarake luajti tinguj muzikor. Mediat proqeveritare e transmetuan ceremoninë drejtpërdrejt.
Udhëheqësi nacionalist i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharchenko, ishin ndër të pranishmit në funeral.
Mlladiqi vdiq në moshën 84-vjeçare më 27 gusht në Hagë të Holandës, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm. Në vitin 2017, ai u dënua për organizimin e masakrës së më shumë se 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë në vitin 1995; rrethimin që zgjati me vite të kryeqytetit të Bosnjës, Sarajevës; si dhe krime të tjera lufte, përfshirë ngritjen e kampeve të përqendrimit për civilë joserbë dhe ushtarë të forcave kundërshtare.
Edhe
Krimineli Mlladiq varroset me nderime shtetërore e ushtarake. BE: S’ishin nderime shtetërore
Që nga vdekja e Mlladiqit, admiruesit e tij nacionalistë kanë organizuar vigjilje, kanë pikturuar një seri muralesh me portretin e tij në Beograd dhe kanë ndezur flakadanë në nderim të tij. Të dielën në mbrëmje, tifozët e futbollit shfaqën një imazh gjigant të Mlladiqit dhe brohoritën emrin e tij gjatë një ndeshjeje në Beograd.
“Nënat e Srebrenicës”: Turp!
Në Bosnjë, grupi “Nënat e Srebrenicës”, i cili mbledh familjarët e viktimave, i bëri thirrje BE-së të reagojë, duke thënë se funerali i Mlladiqit “kërcënon të shndërrohet në tubimin më të madh fashist në Evropë në 70 vjetët e fundit”.
“Glorifikimi i gjenocidit nuk është nder, por turp”, thanë ato në X.
Srebrenica, e shpallur nga OKB-ja si një “zonë e sigurt” për boshnjakët (myslimanët e Bosnjës), përfundoi duke u pushtuar nga forcat serbe, të cilat i detyruan burrat dhe djemtë të zhvisheshin, i vranë dhe më pas trupat e tyre i zhvendosën me buldozerë në varreza masive.
Shërbimi i Jashtëm i BE-së deklaroi se “çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidate për anëtarësim në BE”.
“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë”, thuhej në deklaratë.
Për Milan Dobriçin, një pjesëmarrës në funeral që kishte udhëtuar nga Kosova, Mlladiqi “ishte një njeri që dha gjithçka nga jeta e tij për popullin serb”. Dobriçi tha se ishte “i lumtur që këtë mëngjes njerëzit po vijnë për t’i bërë nderime të veçanta”.
Presidenti serb thotë se tubimi është reagim ndaj presionit perëndimor
Edhe
Mijëra njerëz në Serbi i bëjnë homazhe Mlladiqit, pavarësisht paralajmërimeve të BE-së
Megjithëse organizimi i funeralit u bë zyrtarisht nga familja e Mlladiqit, Qeveria serbe dërgoi gjithashtu një avion javën e kaluar për ta sjellë trupin e tij në Beograd, ndërsa ushtarët bartën arkivolin e tij të mbështjellë me flamurin kombëtar. Të shtunën u mbajt edhe një ceremoni përkujtimore ushtarake në një objekt zyrtar të Ushtrisë serbe.
Presidenti popullist Aleksandar Vuçiq, një ish-nacionalist ekstrem që gjatë luftës mbështeste politikat ekspansioniste të Serbisë, e përshkroi funeralin si një “shpërthim emocional” që “nuk ka të bëjë fare” me faktin nëse Qeveria serbe e ka miratuar apo jo.
Serbia ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe është përballur me kritika të forta për nderimin e Mlladiqit pas vdekjes së tij.
Marta Kos, komisionerja e BE-së për Zgjerimin, anuloi një vizitë të planifikuar në Serbi në shenjë proteste, duke argumentuar se “glorifikimi që po shoqëron vdekjen e tij është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt BE-së”.
Serbia, e cila gjatë luftës mbështeti forcat serbe të Bosnjës, vazhdon të jetë sfiduese lidhur me rolin e saj gjatë luftës dhe e akuzon Perëndimin për paragjykim kundër serbëve.
Vuçiqi tha se serbët “janë persekutuar dhe ngacmuar për 30, 40 vjet... gjithmonë fajtorë, pavarësisht se çfarë ndodh”. Ai shtoi se “njerëzit thjesht nuk do ta pranojnë më këtë”.
Vuçiqi, i cili nuk mori pjesë në funeral, më parë e ka akuzuar komisioneren Marta Kos, për gënjeshtra.
Presidenti serb ka shtuar retorikën e tij kundër Perëndimit përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen muajin e ardhshëm.
Edhe
Konjufca për glorifikimin e Mlladiqit: Akt turpi i thellë moral dhe politik
Një numër zyrtarësh të tjerë evropianë iu bashkuan kritikave ndaj Serbisë, së bashku me liderë rajonalë dhe familjarë të viktimave të Mlladiqit nga lufta në Bosnjë.
Konflikti la më shumë se 100,000 njerëz të vrarë dhe mbi 1 milion të zhvendosur para se të përfundonte në vitin 1995 me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.