Gazetarja e njohur e ekonomisë, Ola Xama ka bërë një shënim sqarues për përplasjen e qeverisë me magjistratët, për pagat e këtyre të fundit. Për shkak të mos përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve e prokurorëve, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Thesari nuk po ekzekuton pagat e tyre.
Xama tregon ngërçin e krijuar dhe thekson se nisur nga rrethanat dhe veprimet, asnjëra nga palët që janë në konflikt nuk po respekton ligjet.
Shkruan gazetarja Ola Xama:
Fillimisht është qeveria që nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili detyronte Kuvendin të bënte ndryshimet ligjore për mënyrën e përllogaritjes së pagës brenda datë 31 korrik të këtij viti.
Dukshëm ky vendim nuk është zbatuar dhe është një shkelje nga ana e autoriteteve përgjegjëse. Shkelja mund të jetë e Ministrit të Financave i cili ka detyrimin për t’i propozuar Këshillit të Ministrave projektligje të karakterit financiar, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave nëse akti është depozituar por nuk i është paraqitur brenda afateve Këshillit të Ministrave, ose Këshillit të Ministrave që nuk e ka miratuar nëse i është paraqitur.
Nga ana tjetër, që administrata e thesarit të kalojë fondet përkatëse në një llogari financiare do të duhet që paratë të gjenden në llogarinë ekonomike. Nëse ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” nuk është ndryshuar dhe nuk ka prodhuar efekte financiare, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Buxhetit nuk ka si të reflektojë në buxhet ndryshimet përkatëse, pasi do të shkelte Ligjin për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor. Në rastin në fjalë, thesari nuk ka si ekzekuton një urdhër-shpenzimi me vlerë më të lartë sepse do të ishte në shkelje të ligjit dhe rregullave buxhetore, madje dhe të natyrës penale pasi do të krijonte detyrime të prapambetura.
Si titullari i një institucioni të drejtësisë (nëpunësi autorizues) edhe drejtori i financës i këtij institucioni (nëpunësi zbatues) që ka bërë kërkesën për derdhjen e pagave pa patur fonde në llogarinë ekonomike, praktikisht ndodhen në shkelje të ligjit.
Patjetër që shkelja e parë është e qeverisë që nuk ka zbatuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por shkelja e ligjit nuk luftohet duke shkelur ligjin.
Në shoqëritë me demokraci të konsoliduar situata të tilla thjesht nuk ndodhin. Në rastin e Shqipërisë do të ishte më mirë që pala e prekur nga padrejtësitë e ekzekutivit të shkelë etikën dhe të protestojë - sesa të marrë vetë vendime në shkelje të ligjit!
