Ditari i Opozitës

Bardhi: PD nuk e bojkoton Kuvendin, do të përballemi me mazhorancën

Partia Demokratike nuk do të bojkotojë punimet e Kuvendit me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita do të jetë e pranishme në Parlament dhe do ta përdorë atë si një hapësirë përballjeje me mazhorancën. 

Në një prononcim për Report Tv, një ditë para rikthimit të deputetëve në Kuvend, Bardhi tha se qëndrimi i PD-së ndaj Parlamentit do të vijojë të kushtëzohet nga mbrojtja e interesit publik dhe interesat e qytetarëve.

“Gjithmonë raporti i PD-së me Parlamentin ka qenë i kushtëzuar, ka qenë i kushtëzuar nga mbrojtja e interesit publik. Siç kemi vepruar dhe e kemi thënë edhe sesionin tjetër, që në nisje të kësaj legjislature, Partia Demokratike nuk e bojkoton Parlamentin, por do të jemi aty për t'u përballur me mazhorancën, për interesin e qytetarëve dhe për të shtyrë përpara axhendën e tyre”, tha Bardhi.

Sipas tij, opozita synon të çojë përpara çështjet që lidhen me interesin e qytetarëve, ndërsa në krye të axhendës vendos reformën territoriale. PD vijon të kundërshtojë projektin e mazhorancës për reduktimin e numrit të bashkive dhe Bardhi bëri të qartë se deputetët demokratë nuk do ta votojnë këtë nismë.

“Nuk kemi votë për projektligjin që ka propozuar mazhoranca. Është depozituar në kundërshtim me ligjin, ky proces konsultimi është duke u kryer në këto momente si fasadë, duhet të rikthehemi te nevoja për reformë reale territoriale, ne kemi një projekt që gjykojmë që është më i miri, do nisim konsultimet me qytetarët dhe në përfundim do të kemi edhe zyrtarizim të iniciativës sonë. Kërkesat e legjislacionit europian kërkojnë që zëri i komunitetit të dëgjohet. Mendimi i popullatës të jetë përcaktues. Pres reflektim, deputetët që duhet të jenë zëdhënës të qytetarëve”, u shpreh Bardhi.

Një tjetër çështje ku PD pritet të mbajë qëndrim kundërshtues është ajo e pagave në sistemin e drejtësisë. Bardhi akuzoi qeverinë se nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke pretenduar se situata ka krijuar probleme serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës. 

“Ne sot kemi një sistem gjyqësor që nuk merr dot pagat. Qeveria ka refuzuar jo thjesht të zbatojë vendimin e GJK-së, por edhe sugjerimin e Kuvendit. Edhe veprimi i KLGJ-së e KLP-së ngre pikëpyetje, por përgjegjësia është e qeverisë dhe Kuvendit. Propozimi i sjellë nga disa kolegë të PS-së gjithashtu nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje, në pikëpamjen tonë edhe ky projektligj është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Paralajmëroni votë kundër? Padiskutim, sepse në analizën e ekspertëve tanë, nuk përmbush kriteret e vendimeve të GJK-së”, theksoi Bardhi.

Të fundit