E-TJERA

100 ditë nga “Protestat e Flamingove”: Në provë e ardhmja evropiane e Shqipërisë

Ajo që nisi si kundërshtim ndaj një zhvillimi lokal, është kthyer në një provë për të ardhmen e Shqipërisë. A mund t’u rezistojnë mbrojtja e mjedisit, pjesëmarrja publike dhe shteti i së drejtës presionit të turizmit luksoz dhe zhvillimeve në shkallë të gjerë?

Si nisi

Kontroversa nisi në fillim të majit, kur makineritë e rënda hynë në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro-Nartë, pjesë e deltës më të gjerë të Vjosës. Kjo zonë bregdetare është shtëpi e më shumë se 200 llojeve të shpendëve dhe mbi 70 specieve të rrezikuara, si dhe ndodhet në një korridor migrator të përdorur nga shpendët që kalojnë mes Afrikës dhe Evropës. Është një nga vijat e fundit bregdetare të egra që i kanë mbetur Mesdheut.

Qeveria e cilësoi ndërhyrjen si një studim teknik paraprak për vlerësimin e ndikimit në mjedis, por provat tregonin diçka tjetër.

Për ditë me radhë, kanali që lidh Lagunën e Nartës me detin u bllokua plotësisht. Buldozerët që punonin brenda një peizazhi të mbrojtur, pa leje, ndërprenë rrjedhën që mban lagunën të oksigjenuar, ruan ekuilibrin e kripësisë dhe mban gjallë zinxhirin ushqimor nga i cili varen flamingot, pelikanët kaçurrelë dhe breshkat që folezojnë aty. Më vonë, shkencëtarët paralajmëruan se vazhdimi i punimeve mund të kishte shkaktuar një kolaps ekologjik. Shumë prej asaj që u shkatërrua – ligatinat, dunat, pylli dhe tre lloje habitatesh të klasifikuara nga BE-ja si “prioritare” – nuk do të rikthehen pa vite restaurimi.

Kjo ngjante shumë pak me një vlerësim të mirëfilltë mjedisor. Hendeku mes asaj që pretendonte qeveria dhe asaj që po ndodhte në terren dëmtoi besimin te autoritetet që mbronin një projekt me pasoja kaq të thella për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë. Ai nxori gjithashtu në pah një pyetje më të madhe: kush ka të drejtë të përcaktojë të ardhmen e zhvillimit të Shqipërisë?

Kur banorët vendas u përpoqën të ndalonin punimet, u përballën me sigurim privat dhe tela me gjemba, ndërsa pamjet e përplasjes u përhapën ndërkombëtarisht. Në fund të majit, në Tiranë nisën protestat e përnatshme. Ato nuk kanë ndaluar që atëherë.

Të hapësh një resort apo të bashkohesh me BE-në?

Në qendër të mosmarrëveshjes është një ligj i vitit 2024, i cili hapi zonat e mbrojtura më parë për turizëm luksoz dhe projekte infrastrukturore – një ndryshim që e vendos vendin drejtpërdrejt në kundërshtim me legjislacionin mjedisor të BE-së. BE-ja e kundërshtoi që në fillim dhe shfuqizimi i këtij ligji është bërë që atëherë një nga kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit.

Më 17 qershor, Parlamenti Evropian mbështeti protestuesit, duke bërë thirrje për një moratorium të menjëhershëm mbi lejet e reja dhe ndërtimet në zonat e mbrojtura, derisa ligji të shfuqizohet. Vjosa-Narta është kthyer në provën më të qartë deri tani se si një vend kandidat për anëtarësim i trajton ligjet e BE-së kur përballë tyre qëndron një investim i fuqishëm.

Çfarë rrezikon të humbasë Shqipëria – ose të dëshmojë

Njëqind ditë më vonë, qeveria as nuk e ka shfuqizuar ligjin, as nuk e ka braktisur projektin. Protestuesit e kanë kthyer një mosmarrëveshje lokale mjedisore në një çështje parimore kombëtare: çfarë lloj vendi dëshiron të jetë Shqipëria.

Zgjedhja është e qartë. Të forcohet një model qeverisjeje që anashkalon ligjin mjedisor dhe pjesëmarrjen publike, ose të dëshmohet se mbrojtja e mjedisit, pjesëmarrja reale e publikut dhe zhvillimi ekonomik mund të bashkëjetojnë – siç duhet të ndodhë në një demokraci moderne.

Shqipëria nuk ka pse të përsërisë gabimet që kanë bërë tashmë brigje të tjera të Mesdheut. Për një vend që e ka vendosur të ardhmen e tij te turizmi, një lagunë e egër nuk është pengesë për prosperitetin; është një nga ato pasuri që nuk mund të rindërtohen pasi të jenë zhdukur.

Gryka e lagunës është rihapur, të paktën për tani. Flamingot janë ende aty, të paktën për tani. Nëse do të jenë ende aty në ditën e 200-të, varet nga një zgjedhje që qeveria ende nuk e ka bërë./ Nga BirdLife International

Të fundit