Lajme

Kusari-Lila vendos antidamping për farën e grurit nga Serbia

09/08/2026 17:14
nga:G B

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e një detyrimi të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.

Kusari-Lila ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas hetimit të zhvilluar nga Ministria dhe dëshmive paraprake për import me çmime dumping, që sipas saj kanë shkaktuar dëmtim të prodhuesve vendorë.

“Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme. Tregu ynë duhet të jetë i hapur, por edhe i drejtë”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka theksuar se do të përdoret çdo instrument ligjor në dispozicion për mbrojtjen e prodhimit vendor, konkurrencës dhe interesit ekonomik të Kosovës.