Lajme

Kurti: 1,400 qytetarë do të përfitojnë nga investimet në efiçiencë të energjisë

09/08/2026 15:02
nga:Genita C

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se investimi në masat e efiçiencës së energjisë do të prekë mbi 1,400 qytetarë në Kosovë, raporton GazetaBlic.

Sipas Kurtit, deri më tani janë rinovuar 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, me një investim prej rreth 610 mijë eurosh. Deri në fund të vitit pritet të përkrahen 192 familje, ndërsa deri në vitin 2028 numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280.

Përparësi do t’u jepet familjeve me asistencë sociale, veçanërisht atyre me pensionistë, persona me aftësi të kufizuara dhe prindër vetushqyes.

Kurti ka falënderuar Qeverinë e Danimarkës, UNDP-në, Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për mbështetjen e projektit.