Lajme

Rezultatet e dobëta në PISA, Jasharaj: ‘S’duhet bërë me gisht nga njëra palë, të ulemi së bashku të shohim cilat janë shkaqet’

09/08/2026 14:05
nga:Y I

Janë publikuar rezultatet e testit PISA 2025.

Kosova ka shënuar rezultate të ngjashme me vitin 2022 në shkencë dhe lexim, ndërsa në matematikë ka pasur rënie të lehtë.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se në Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2025 morën pjesë gjithsej 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Rezultatet e publikuara tregojnë se performanca e nxënësve në vend vazhdon të mbetet nën mesataren e vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Pas publikimit të këtyre rezultateve ka folur për “Gazeta Blic”, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës, SBASHK, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj tha se rezultate të tilla duhet të na shqetësojnë të gjithëve por se nuk ‘duhet bërë me gisht nga njëra palë’.

Ai potencoi se duhet të ulen të gjithë së bashku për të parë se cilat janë shkaqet që Kosova po del kaq keq në PISA.

“Rezultatet në PISA duhet të na shqetësojnë të gjithëve dhe nuk duhet bërë me gisht nga njëra palë, por të ulemi të gjithë se bashku dhe të shohim cilat janë shkaqet që po dalim kaq keq në PISA ” tha kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj.

Sipas Jasharaj duhet të krijohet një strategji kombëtare e arsimit dhe s’e duhet të përmirësohen kushtet e punës në shkolla.

Ai tha se nëse vazhdohet të bëhet me gisht nga mësimëdhënësit kjo nuk do të ndryshojë asgjë.

“Mendoj se duhet krijuar një strategji kombëtare të arsimit dhe duhet përmirësuar kushtet e punës në shkolla sepse me shkumës dhe shpuzë vështirë është të shënojmë arritje të mëdha. Nëse vazhdojmë të bëjmë me gisht nga mësimdhënësit atëherë nuk do të ndryshojmë asgjë. Nuk është mirë që një javë të flasim e të kërkojmë fajtorin e pastaj ta lëmë çështjen në heshtje e të mos bëjmë as edhe një angazhim konkret sepse kështu keq do të dalim edhe në PISA të radhës” deklaroi Jasharaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/

PISA 2025: Nxënësit e Kosovës mbeten nën mesatare