Lajmet e fundit

Italia ka propozuar përjashtimin nga tarifat për transaksionet digjitale nën 10 euro, një masë që pritet të favorizojë veçanërisht bizneset e vogla.
Propozimi është bërë në kuadër të negociatave për krijimin e euros dixhitale, sipas burimeve dhe dokumenteve të siguruara nga Euronews, transmeton Klankosova.tv.
Nisma është pritur pozitivisht nga komuniteti bankar, veçanërisht nga Banka Qendrore Evropiane (BQE), sipas një burimi nga sektori bankar.
Euroja digjitale është konceptuar si një formë elektronike e pagesës që do të plotësojë paranë kesh. BQE synon të jetë e gatshme për një emetim të mundshëm të euros digjitale në vitin 2029, nëse legjislacioni i nevojshëm miratohet gjatë këtij viti.
Aktualisht, Evropa mbështetet kryesisht në sisteme pagesash me origjinë amerikane, si Visa dhe Mastercard. Për këtë arsye, Bashkimi Evropian po kërkon të rrisë autonominë strategjike në fushën e pagesave, ndërsa euroja digjitale shihet si një prej zgjidhjeve të mundshme.
Euroja digjitale do të ketë statusin e mjetit ligjor të pagesës, që do të thotë se tregtarët, në përgjithësi, do të jenë të detyruar ta pranojnë atë, me disa përjashtime. Për këtë arsye, ligjvënësit evropianë po negociojnë mënyrën se si do të shpërndahen tarifat mes aktorëve të ndryshëm të tregut, në mënyrë që bizneset e vogla të mos penalizohen nga përdorimi i monedhës së re digjitale.