Lajmet e fundit
Artem Dovbyk shënoi në minutën e 90+1 për t’i dhënë Bolognës një pikë në përballjen ndaj Sassuolos, por festimi i tij u bë viral për një arsye të pazakontë.
Bologna dhe Sassuolo u ndanë në barazim 2-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të Serie A, të zhvilluar të dielën në stadiumin “Renato Dall’Ara”.
Sassuolo kaloi dy herë në avantazh, fillimisht me Josh Doig në minutën e 19-të dhe më pas me Vasilije Adžić në minutën e 56-të. Për Bolognën shënoi Roberto Piccoli në minutën e 50-të, ndërsa Artem Dovbyk vendosi rezultatin përfundimtar në 2-2 në minutën e 90+1.
Momenti i golit të Dovbyk mori vëmendje të veçantë edhe në rrjetet sociale. Sulmuesi ukrainas, i cili kishte hyrë në lojë si zëvendësues, realizoi pas një topi të kthyer nga portieri i Sassuolos, Arijanet Muric.
Pas golit, Dovbyk hoqi fanellën dhe u drejtua drejt këndit të fushës për të festuar. Mirëpo, ajo që ra në sy ishte se asnjë prej bashkëlojtarëve të tij nuk shkoi menjëherë për ta përqafuar apo festuar me të.
Arsyeja ishte e thjeshtë: lojtarët e Bolognës nuk ishin të kënaqur vetëm me barazimin. Ata donin të shënonin edhe golin e tretë dhe të merrnin fitoren, ndaj disa prej tyre morën topin dhe e vendosën në qendër të fushës, duke tentuar që loja të rifillonte sa më shpejt.
Në fund, Bologna nuk arriti të gjente golin e fitores, por goli i Dovbyk ishte i mjaftueshëm për t’i siguruar skuadrës pikën e parë në kampionat këtë sezon.
Dovbyk, ndërkohë, shënoi golin e tij të parë në Serie A për Bolognën, duke u bërë heroi i skuadrës në një fund dramatik të derbit ndaj Sassuolos.