Aplikacion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me konfliktin e pronësisë në Vlorë mes Vasil Bedinajt dhe Luan Muçës, duke vënë në qendër të akuzave mënyrën se si institucionet shtetërore kanë trajtuar dokumentacionin dhe lejet për të njëjtën sipërfaqe toke.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku tha se pas disa ditësh diskutimesh publike për ngjarjen, thelbi i çështjes, sipas saj, po lihet në hije.
Ajo shprehet se për të njëjtën pronë janë miratuar dy procedura dhe dy leje për persona të ndryshëm.
Sipas deputetes demokrate, njëra prej lejeve lidhet me një investim strategjik, ndërsa tjetra me zhvillimin e pronës.
Në reagimet e mëparshme, Luan Muça ka deklaruar se që prej vitit 2019 ka blerë rreth 97 mijë m² tokë, ndërsa në vitin 2021 ka marrë statusin e investitorit strategjik për një projekt hoteli me pesë yje. Më pas, sipas tij, ka zbuluar se mbi një pjesë të tokës për të cilën pretendon pronësinë ishte dhënë edhe një leje tjetër ndërtimi, e lidhur me palën e Vasil Bedinajt.
Reagimi i plotë:
Tre ditë pas konfliktit në Vlorë, ka vetëm një gjë të qartë: përgjegjësi është shteti, qeveria dhe kryeministri, i cili ka dhënë dy leje të ndryshme — një për investim strategjik dhe një për zhvillimin e pronës — mbi të njëjtën tokë dhe për dy persona të ndryshëm.
Si është e mundur që të zhvillohet një proces i plotë për dhënien e lejeve të ndërtimit për dy persona të ndryshëm, mbi të njëjtën pronë?
Nuk ka, pra, asnjë ullishte që mund t’ia lajë duart qeverisë nga korrupsioni i kryer në këtë rast, nga hipoteka deri më lart, në Kryeministri.
E gjithë kjo ndodh ndërkohë që shqiptarët presin me vite dhe paguajnë miliona lekë në taksa dhe ryshfete për të regjistruar pronën e tyre. Imagjinoni sa më e vështirë bëhet situata kur prona është blerë apo kaluar përmes një transaksioni tjetër.
Ajo që ka ndodhur në Vlorë është një shembull shumë i qartë i kaosit me pronën. Ndërkohë, dëgjojmë retorikë dhe propagandë, pa u kryer një hetim administrativ, pa u identifikuar përgjegjësit dhe pa u nxjerrë ata përpara përgjegjësisë.
Tani na thuhet se do të shpronësohen pronarët dhe prona do të kthehet në ullishte. Por kë do të shpronësojnë? Apo do t’i shpronësojnë të dy, ashtu siç u dhanë të dyve leje ndërtimi për të njëjtën tokë? Nuk mund të kemi një shtet ligjor pa respektuar pronën./ Zoom.al