Shtatë shtatori i vitit 1990 është pjesë e historisë së popullit të Kosovës në ndërtimin e identitetit si popull i lirë, i pavarur, me ëndrra dhe ideale të vlerave të civilizimit njerëzor. Në këtë përvjetor, gjeneratat të cilat ishin pjesë e historisë së re të Kosovës duhet të kujtojnë me mall dhe krenari guximin dhe sakrificën e ish-deputetëve të Parlamentit të Kosovës, si dhe angazhimin e intelektualëve të atëhershëm, të cilët iu bashkuan ëndrrës dhe kauzës për ta miratuar Kushtetutën e re të Republikës së Kosovës.
Kushtetuta, e cila u prit me dekada, vite e shekuj, ishte një nga themelet e rrugëtimit që Kosova të bëhet shtet i pavarur dhe demokratik. Është interesant të theksohet se në atë kohë e tërë gjeografia e Kosovës ishte e mbushur dhe e rrethuar me forca policore e ushtarake të Serbisë, të cilat kishin autorizime të pakufishme nga shteti serb dhe qeveria e Beogradit për ta ngulfatur çdo përpjekje politike të Shqiptarëve të Kosovës, të cilët kërkonin liri dhe pavarësi.
Kushtetuta e Kaçanikut u miratua në vitin 1990, kur Shqiptarët e Kosovës iu bashkuan lëvizjes gjithëpopullore, të udhëhequr nga ish-presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij. Kjo periudhë ishte periudha më e ndritshme, në të cilën punuan dhe vepruan të gjitha shtresat e popullit, duke krijuar një unitet të pathyeshëm për idealet e shtetit dhe kombit.
Mjerisht, rrjedha e historisë së Kosovës për themelimin, ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, tani në këtë moment të kohës në të cilën po jetojmë, po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike, të cilat i kanë krijuar partitë e ashtuquajtura politike, për interesat e tyre personale, karrieriste dhe materialo-financiare, e kanë bllokuar shtetin, duke bërë obstruksione dhe forma të tjera të veprimit kundër vetvetes.
Askush nuk ka imagjinuar se, pas 36 viteve nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut, grupet e interesit, të cilat po e keqpërdorin votën e popullit dhe po kalkulojnë me fatin e Kosovës, do të silleshin në mënyrën më të papërgjegjshme ndaj vendit. Kjo gjeneratë e politikanëve, si duket, ka harruar, apo fare nuk çan kokën, se gjenerata të tëra veprimtarësh, intelektualësh dhe patriotësh dhanë mund, dije dhe më të shtrenjtën – jetën – për të fituar lirinë dhe pavarësinë, si dhe për t'i krijuar themelet e shtetit të Kosovës. Një thënie antologjike: “Një popull që e harron të kaluarën do ti përsëritet historia”.