E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Pagat” zgjidhen në 17 shtator, Balla: Kompetencën për rrogat e gjyqtarëve e ka Kuvendi. Bardhi: Po shpërfillni Kushtetuesen

Ilustrim · Vizion Plus

Partia Socialiste synon që javën e ardhshme në 17 shtator të miratojë ndryshimet ligjore që rrisin pagën e gjyqtarëve dhe prokurorëve siç urdhëroi Gjykata Kushtetuese në shkurtin e këtij viti. Njoftimi u dha nga Taulant Balla gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku u diskutuan ligjet që Parlamenti do të shqyrtojë në 3 javët e ardhshme.

Mbledhja u shoqërua me debate, pasi opozita akuzoi mazhorancën se nuk zbatoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje duke futur gjykatat në kolaps.

 “Kemi parashikuar shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në datën 17 shtator. Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, tha Balla.

Por mazhoranca për të miratuar këto ndryshime ligjore duhet të sigurohet që të gjithë deputetët socialistë e ata të partisë së Tom Doshit të votojnë pro për të arritur kuorumin prej 84 votash që duhet për të miratuar draftin, pasi opozita deklaroi sot se nuk e voton ligjin.

 “Vota jonë është kundër, propozimi i paraqitur është në kundërshtim me standardet që ka vendosur kushtetuesja. Nuk mund të votojmë një iniciativë që nuk reflekton në formën e plotë vendimin e gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Bardhi.

Gjykata Kushtetuese urdhëroi Parlamentin që deri në 31 korrik të miratonte një ligj të ri që garantonte rritjen e pagave për gjyqtarët e prokurorët. Parlamenti dështoi ta përmbushte këtë detyrim, por në fund të muajit korrik dy deputetë socialist firmosën draftin që sipas tyrë garanton zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Projektligji parashikon rritjen e pagës për magjistratës vetëm në masën 0.02%. Por vetëm gjyqtarët e prokurorët e shkallës së parë dhe dytë do të marrin një rritje të tillë. Projektligji rrit pagën e SPAK me 80% dhe pagën e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese me 85%.

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh