E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Pas vrasjes së 24-vjeçarit, Hita “zbret” në Shkodër, kritika policisë vendore: Më shumë rezultate kundër krimit

Ilustrim · Vizion Plus

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim me drejtuesit dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Gjatë takimit, kreu i Policisë së Shtetit ka shprehur pakënaqësi për punën e policisë vendore, duke kërkuar rezultate më të larta dhe një reagim më efektiv ndaj problematikave të kriminalitetit në qark.

Shqetësimet e ngritura nga Hita kanë prekur disa prej çështjeve kryesore me të cilat përballet Shkodra, duke nisur nga zbulueshmëria e vrasjeve dhe veprave të tjera kriminale, goditja e grupeve kriminale, kultivimi dhe trafikimi i kanabisit, e deri te siguria rrugore.

Në fokus të mbledhjes ka qenë edhe siguria në shkolla, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Strukturave vendore u është kërkuar të marrin masa konkrete për garantimin e rendit dhe sigurisë në dhe përreth ambienteve shkollore.

Skënder Hita ka kërkuar rritjen e efektivitetit të policisë në goditjen e grupeve kriminale dhe zbardhjen e veprave të rënda penale, veçanërisht vrasjeve. Po ashtu, është kërkuar një angazhim më i madh në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Takimi në Shkodër mori një tjetër vëmendje për shkak se u zhvillua në të njëjtën ditë me një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në qytet. Shtetasi Ylber Luli u vra, ndërsa i dyshuari për krimin, Andri Vulaj, u arrestua nga policia menjëherë pas ngjarjes.

Hita e njeh nga afër strukturën e Policisë së Shkodrës, pasi në vitin 2021 ka mbajtur për rreth katër muaj detyrën e drejtorit të Policisë Vendore të këtij qarku.

Takimi i kreut të Policisë së Shtetit me drejtuesit vendorë dhe strukturat e Policisë së Shkodrës zgjati më shumë se një orë.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh