Janë riaktivizuar zjarret në Halil dhe Krastë të Krujës, vetëm pak orë pasi ishin shuar gjatë natës.
Kreu i PD-së së Krujës, Aulon Kalaja, raporton nga terreni se flakët po përhapen gradualisht nga kurora e pishave të Krastës drejt ullishteve, duke djegur hektarë të tërë dhe pemë ulliri.
Në video shihen banorë të zonës që po përballen vetë me zjarrin, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente me mjete zjarrfikëse dhe helikopterë.
Kalaja u bën apel institucioneve të emergjencave civile që të ndërhyjnë menjëherë, pasi në zonë nuk ka prani helikopterësh.
Ai thotë se Kruja po përballet prej një muaji me vatra të përsëritura zjarri, duke përmendur Krastën, Zidollin, Albanopolisin, Bojen, Varoshin, Barabitin, Bazën, Fushë-Krujën, Grepsin, Mukjen dhe Bilajn.
“Ju përshëndes të gjithëve, ndodhemi në fshatin Halil ku pas shpinës time siç e shikoni janë riaktivizuar dhe njëherë flakët e zjarrit që u shuan natën e mbrëmshme. Jemi tek kurora e pishave dhe të Krastës, ndërkohë që në një zbritje graduale poshtë, siç e shikoni, janë flakë zjarri të cilat po përpijnë ullishtet e gjithë kësaj zone.
Bëhet fjalë për shumë hektarë, për shumë pemë ulliri dhe pemë të tjera të cilat janë të djegura totalisht dhe siç e shikoni edhe nëpërmjet pamjeve, në rast se afrohemi, aty ka banorë të zonës të cilët po përleshen me flakët. Pra janë njerëz të cilët po marrin pjesë vetë në fikjen e zjarrit.
Nuk ka prani helikopterësh, do t’i bëjmë thirrje, dhe kjo video është sensibilizuese, të gjithë institucioneve që të kthejnë kokën nga Krasta e Krujës, nga fshati Halil dhe të ndërhyhet dhe njëherë nga ajri për flakët që po përpijnë ullishtet e mrekullueshme të Krujës. Kruja nuk po gjen paqe, ka një muaj rresht që po digjet në mënyrë sistematike.
Jemi sot më 8 shtator dhe që nga data 8 gusht kemi djegie sistematike të Krujës, të Zidollit, Albanopolisit, lagja Boje, Varosh, Barabit, lagja e Bazë, Fushë Kruja, zjarr në Greps dhe në Mukje, zjarr në Bilaj, ndërkohë sot e ka radhën fshati Halil. Siç e shikoni pas shpinës time, i cili po digjet në një mënyrë graduale tani dhe nuk ka ndërhyrje nga ajri.
Nuk ka prani helikopterësh. Më kanë marrë banorët në telefon, më kanë telefonuar, kërkojnë zjarrfikëse, kërkojnë helikopter. Kjo është thirrje urgjente për të gjithë institucionet e emergjencës civile që t’i kthejnë sytë nga Kruja sepse siç e shikoni janë banorë të cilët po fikin vetë zjarrin.”– shprehet Aulon Kalaja.













