Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Ruslan Kravchenko, ka njoftuar dorëheqjen nga detyra, duke e cilësuar vendimin si politik. Largimi i tij vjen në një moment kur autoritetet ukrainase po hetojnë një skemë të dyshuar pastrimi parash, ku është përfshirë një zyrtar i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, Kravchenko deklaroi se nuk dëshiron që posti i Prokurorit të Përgjithshëm të përdoret si mjet në përplasjet politike. Ai kërkoi që dorëheqja e tij të pranohet dhe falënderoi Presidentin Volodymyr Zelensky dhe parlamentin ukrainas. Agjencitë kundër korrupsionit NABU dhe SAPO njoftuan javën e kaluar se kishin zbuluar një skemë pastrimi parash të drejtuar nga një zyrtar i zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm. Kravchenko ka mohuar çdo përfshirje personale në këtë çështje.
Dorëheqja e tij vjen në një periudhë kur Ukraina po përballet me presion të shtuar për luftën kundër korrupsionit dhe me një sërë ndryshimesh në nivelet e larta të administratës shtetërore. Gjatë muajve të fundit, disa raste korrupsioni kanë prekur zyrtarë të lartë ukrainas, ndërsa qeveria e Zelenskyt ka ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në kabinet dhe institucione.
Në korrik, Zelensky emëroi Serhiy Koretsky në krye të qeverisë pas dorëheqjes së Yulia Svirydenkos. Po atë muaj, presidenti zëvendësoi edhe ministrin e Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, vetëm gjashtë muaj pas emërimit të tij, vendim që shkaktoi protesta në vend. Dorëheqja e Kravchenkos pritet të hapë një tjetër debat politik në Kiev mbi luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë në kohë lufte












