Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka publikuar këtë të martë rezultatet e PISA 2025, vlerësimi ndërkombëtar që mat aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në shkencë, matematikë dhe lexim.
Por krahas rezultateve, për Shqipërinë është vendosur një shënim paralajmërues, ku thuhet se një ose më shumë nga standardet e kampionimit të përcaktuara nga PISA nuk janë përmbushur.
Ky vlerësim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si është përzgjedhur kampioni i nxënësve që kanë marrë pjesë në test dhe sa përfaqësuese janë rezultatet e tyre për të gjithë nxënësit 15-vjeçarë në Shqipëri.
Megjithatë, rezultatet e publikuara tregojnë se Shqipëria është nën mesataren e OECD-së në të gjitha fushat e vlerësuara.

Në shkencë, nxënësit shqiptarë kanë marrë mesatarisht 435 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 482 pikë. 38.5% e nxënësve në Shqipëri konsiderohen me rezultate të dobëta në këtë fushë, ndërsa vetëm 0.6% kanë arritur nivelet më të larta, Nivelin 5 ose 6. Përkatësisht, mesataret e OECD-së janë 25.7% për nxënësit me rezultate të dobëta dhe 7.2% për ata që arrijnë nivelet më të larta.
Në matematikë, rezultati mesatar i Shqipërisë është 433 pikë, kundrejt 463 pikëve të OECD-së. Diferenca mes djemve dhe vajzave është 4 pikë, por OECD e konsideron këtë ndryshim statistikisht të parëndësishëm.
Në lexim, nxënësit shqiptarë kanë marrë mesatarisht 408 pikë, ndërsa mesatarja e OECD-së është 461 pikë. Në këtë fushë, diferenca mes djemve dhe vajzave është 32 pikë në disfavor të vajzave.
PISA 2025 ka përfshirë edhe zgjidhjen e problemeve kompjuterike, ku Shqipëria ka marrë mesatarisht 437 pikë, kundrejt 500 pikëve të OECD-së.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 40.1% e nxënësve shqiptarë kanë performuar më mirë në zgjidhjen e problemeve kompjuterike sesa do të pritej bazuar në rezultatet e tyre në shkencë. Në vendet e OECD-së kjo shifër është 56.3%.
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë në këtë mënyrë një diferencë të konsiderueshme mes Shqipërisë dhe mesatares së OECD-së, veçanërisht në lexim dhe shkencë, ku diferenca arrin përkatësisht 53 dhe 47 pikë.
Shqipëria është pjesë e PISA-s prej disa ciklesh dhe ka marrë pjesë edhe në edicionet e viteve 2018 dhe 2022, ku sërish ka rezultuar me rezultate të ulëta













