Rama: 222 milionë euro nga sektori i teknologjisë. Eksportet janë trefishuar, 28 500 profesionistë të punësuar

Aktualitet | 5 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se sektori i teknologjisë në Shqipëri ka shënuar rritje të ndjeshme, me eksportet që kanë arritur në 222 milionë euro dhe janë trefishuar krahasuar me disa vite më parë.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e Dytë të Inovacionit, Rama deklaroi se aktualisht në sektor janë të punësuar rreth 28 500 profesionistë të teknologjisë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të rinj.

Kryeministri theksoi gjithashtu rritjen e pagave në këtë sektor, ndërsa nënvizoi se teknologjia zë aktualisht 2.2% të prodhimit të përgjithshëm kombëtar.

“Disa të dhëna tregojnë se në çfarë dinamike të jashtëzakonshme është sektori i teknologjisë që sot eksporton 222 mln euro produkte, tre  herë më shumë se sa pak vite  më parë. Sot  në këtë sektor janë aktivë thuajse 30 mijë profesionistë të  teknologjisë, shifër që ka ndryshuar  edhe brenda këtij viti dhe 7 nga 10 protagonistë të këtij sektori janë nën moshën 35 vjeç. Kemi një rritje pagash shumë domethënëse në këtë sektor dhe në prodhimin e përgjithshëm kombëtar, sektori ka një peshë të lexueshme prej 2.2%. duhet të jetë më e lartë, por është një shofer kuptimplotë për potencialin e vet”, tha Rama.

Rama foli edhe për programin e Inteligjencës Artificiale, duke bërë të ditur se ai do të jetë i aksesueshëm edhe për individët, ndërsa do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike.

“Programi për Inteligjencën Artificiale do të hapet për individët dhe do të bëhet i detyrueshëm për administratën publike. Administrata të ketë në dispozicion një asistencë të kualifikuar. Aktualisht kemi një rritje prej 40% të aplikimeve në e-Albania dhe po punojmë intensivisht për të ndërtuar të parin sistem të prokurimeve publike me AI”, theksoi kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme