Ditari i Opozitës

Zjarri u afrohet banesave në Ungrej, Gjekmarkaj kërkon ndërhyrje urgjente: Çdo minutë vonesë rëndon situatën

Një situatë shqetësuese është raportuar në zonën e Ungrejt në Lezhë, ku zjarri po përhapet në Rras dhe Zimaj, duke iu afruar banesave dhe objekteve të rëndësishme për komunitetin.

Deputeti Agron Gjekmarkaj ka ngritur alarmin përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke deklaruar se flakët po avancojnë me shpejtësi dhe tashmë përbëjnë rrezik edhe për zonat e banuara.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë dhe të angazhojnë të gjitha forcat dhe mjetet në dispozicion për të vënë nën kontroll flakët.

"Alarm në Ungrej!

Situatë tejet e rëndë në Rras dhe Zimaj, Njësia Administrative Ungrej, Lezhë. Zjarri po përparon me shpejtësi dhe flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave, kishave dhe varrezave të fshatrave.

Nuk kërcënohen vetëm pyjet. Rreziku ka mbërritur pranë shtëpive dhe vendeve të shenjta ku prehen të afërmit e këtij komuniteti.

Banorët janë përballë një situate alarmante dhe kërkohet ndërhyrje urgjente dhe e menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, me të gjitha mjetet dhe forcat në dispozicion. Çdo minutë vonesë e rëndon më shumë situatën", shkruan Gjekmarkaj.

 

Të fundit