E-TJERA

139 qytetarë me simptoma helmimi në Fushë-Arrëz, ISHP gjen ndotje në ujin e pijshëm

Plot 139 persona janë paraqitur në Qendrën Shëndetësore të Fushë-Arrëzit me diarre dhe simptoma të tjera gastrointestinale gjatë periudhës 24 gusht–3 shtator.

Sipas hetimit të ISHP-së, 128 prej rasteve janë banorë të Fushë-Arrëzit, kryesisht nga lagjet “Demokracia” dhe “Nushaj”. Të prekurit janë nga 2 deri në 94 vjeç.

Analizat kanë evidentuar koliforme, E. coli dhe enterokokë në disa pika të sistemit të ujësjellësit, ndërsa në një pikë pranë ish-Parkut është gjetur edhe Pseudomonas aeruginosa.

Probleme janë konstatuar edhe me dezinfektimin e ujit. Klori aktiv në hipokloritin e natriumit rezultoi 9.04%, nën nivelin 13–15% të përcaktuar në raport.

Ndërkohë, 17 mostrat klinike të marra nga personat e prekur rezultuan negative për patogjenët e kërkuar.

Në përfundim, ISHP e ka klasifikuar situatën si “shpërthim me transmetim hidrik”, duke rekomanduar dezinfektimin e depove dhe linjave, forcimin e klorinimit dhe sigurimin e ujit alternativ të sigurt.

Të fundit