E-TJERA

Kapet me lëndë narkotike në automjet, arrestohet 27-vjeçari në Tiranë

Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është kapur duke ndarë lëndë narkotike në doza, me qëllim shitjen e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në kuadër të aksioneve policore për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” goditën një tjetër rast të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve vunë në pranga shtetasin me inicialet J. C., 27 vjeç, banues në Paskuqan.

Sipas Policisë, i riu u konstatua në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, ndërsa po ndante lëndë narkotike në doza, dyshohet me qëllim shitjen e tyre në zona të ndryshme të Tiranës.

Në momentin që ka konstatuar praninë e shërbimeve të Policisë, 27-vjeçari ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe neutralizuar nga efektivët.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të automjetit, policia ka sekuestruar doza të dyshuara si lëndë narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, një përzierje e dyshuar si “Crack”, si dhe municion luftarak.

Të fundit