Ditari i Opozitës

Përplasja në Radhimë, Tabaku: Përgjegjës është shteti, u dhanë dy leje për të njëjtën tokë

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar lidhur me përplasjen e ndodhur në Radhimë disa ditë më parë, mes dy biznesmenëve Luan Muça dhe Vasil Bedinaj.

Në një reagim në Facebook, Tabaku shprehet se përgjegjës për konfliktin është shteti, i cili ka dhënë dy leje të ndryshme për dy persona të ndryshëm.

Tabaku thotë se dëgjojmë retorikë e propagandë nga qeveria, në një kohë kur raste si ai i Radhimës tregojnë qartazi kaosin e krijuar nga korrupsioni në çështjet e pronës.

“Tre ditë pas konfliktit në Vlorë, ka vetëm një gjë të qartë: përgjegjësi është shteti, qeveria dhe kryeministri, i cili ka dhënë dy leje të ndryshme — një për investim strategjik dhe një për zhvillimin e pronës — mbi të njëjtën tokë dhe për dy persona të ndryshëm. Si është e mundur që të zhvillohet një proces i plotë për dhënien e lejeve të ndërtimit për dy persona të ndryshëm, mbi të njëjtën pronë? Nuk ka, pra, asnjë ullishte që mund t’ia lajë duart qeverisë nga korrupsioni i kryer në këtë rast, nga hipoteka deri më lart, në Kryeministri. E gjithë kjo ndodh ndërkohë që shqiptarët presin me vite dhe paguajnë miliona lekë në taksa dhe ryshfete për të regjistruar pronën e tyre. Imagjinoni sa më e vështirë bëhet situata kur prona është blerë apo kaluar përmes një transaksioni tjetër.

Ajo që ka ndodhur në Vlorë është një shembull shumë i qartë i kaosit me pronën. Ndërkohë, dëgjojmë retorikë dhe propagandë, pa u kryer një hetim administrativ, pa u identifikuar përgjegjësit dhe pa u nxjerrë ata përpara përgjegjësisë. Tani na thuhet se do të shpronësohen pronarët dhe prona do të kthehet në ullishte. Por kë do të shpronësojnë? Apo do t’i shpronësojnë të dy, ashtu siç u dhanë të dyve leje ndërtimi për të njëjtën tokë? Nuk mund të kemi një shtet ligjor pa respektuar pronën”, deklaron Tabaku.

 

Të fundit