Deputeti demokrat Belind Këlliçi bën thirrje që deputetët të mbështesi9n sot kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, për ngritjen e menjëhershme të Komisionit Hetimor për shoqërinë shtetërore KAYO.
Reagimi i tij merr shkas nga deklaratat dhe akuzat e bëra dje nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili nga arratia tregoi një përgjim që ngrinte pikëpyetje të forta për trafik ndërkombëtar armësh.
"Ky është nga skandalet më të rënda të këtyre dekadave që cënon rëndë sigurinë tonë kombëtare por edhe të NATO-s, ku ne jemi anëtarë.
Ndërkohë që Edi Rama ka treguar se mbron çdo aferë e çdo person të përfshirë, dhe në kushtet kur SPAK nuk kryen detyrën, është e domosdoshme të ngrihet sa më shpejt Komisioni Hetimor Parlamentar që ka kërkuar sot Opozita", shkruan Belind Këlliçi.
Në të njëjtën kohë, ai zbulon një kërkesë për informacion që i ka dërguar ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 100 ditë, ende nuk ka marrë përgjigje.
"I kam dërguar kërkesë për informacion Ministrit të Mbrojtjes prej 5 muajsh, pa marrë asnjë herë asnjë përgjigje. Kjo heshtje konfirmon akuzën që u bë mbrëmë dhe dëshmisë që u bë publike për trafik ndërkombëtar armësh.
Parlamenti e ka për detyrë të hedhë dritë mbi këto fakte, dëshmi e akuza. Me nisjen sot të sesionit të ri parlamentar, duhet të marrë rrugë edhe kërkesa e drejtë e Opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për këtë mega skandal", përmbyll deputeti Belind Këlliçi.
